Në një valë autopromovimi, deputetët Albin Kurti dhe Donika Gërvalla publikuan posterë shumëngjyrësh për “suksesin historik” të pasaportës së Kosovës në Henley Passport Index 2025. Sipas tyre, ngritja nga vendi i 108-të në të 65-in është dëshmi e “punës intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë.”
Ngritje që s’ka lidhje me diplomacinë
Në realitet, kjo ngritje në rangim nuk ka lidhje me fushate diplomatike apo reforma të caktuara, të paktën përgjatë qeverisë Kurti 2. Ngritja e madhe ndërlidhet kryesisht me vendimin e Bashkimi Evropiant për t’ia hequr vizat qytetarëve të Kosovës, duke i lejuar të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen për 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditëshe.
Ky vendim, i vonuar për më shumë se një dekadë, ishte akt i Bashkimit Evropian, jo fryt i “strategjisë” së diplomacisë së Kurtit apo Gërvallës – përkundrazi, gjatë mandatit të tyre, Kosova përjetoi sanksione nga BE-ja dhe pezullimin e Dialogut Strategjik nga SHBA.

Sipas Henley Passport Index 2025, pasaporta e Kosovës renditet në vendin e 65-të, me 81 destinacione pa vizë paraprake. Në vitin 2021, ajo ishte në vendin e 108-të. Një rritje numerike, po, por e shkaktuar nga një faktor kryesor: liberalizimi i vizave nga BE-ja.
Në postimet e tyre, si në Facebook ashtu edhe në X, Kurti dhe Gërvalla e trumeptojnë si ‘dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë’.


Henley Index nuk mat “forcën diplomatike”, as reputacionin ndërkombëtar të një vendi. Ky raport mat vetëm numrin e vendeve që mund të vizitohen pa vizë paraprake, me vizë në mbërritje ose me autorizim elektronik (ETA), një formulë e thatë statistikore, pa asnjë lidhje me performancën e politikës së jashtme.
Edhe me këtë rritje, Kosova mbetet pas fqinjëve të saj.
- Shqipëria: vendi 43, me 123 destinacione pa vizë.
- Maqedonia e Veriut: vendi 42, me rreth 130 destinacione.
- Serbia dhe Mali i Zi: ende më lart në renditje.
Gjatë qeverisjes Kurti, Kosova përjetoi goditje të ashpra diplomatike nga partnerët kryesorë perëndimorë: më qershor–korrik 2023 BE vendosi masa ndëshkuese (sanksione politike e financiare) ndaj Kosovës për shkak të përshkallëzimit në veri. Ndërsa, më 12 shtator 2025, ShBA pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e justifikuar vendimin me veprimet dhe qasjen e qeverisë në detyrë.