Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe një herë u dëshmua në linjë me Vetëvendosjen.
Kjo pasi respektoi kërkesën e kësaj partie që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
Osmani e arsyetoi vendimin duke thënë se 21 dhjetori është afër, e se është më demokratike të ketë pjesëmarrje edhe nga diaspora.
“Data 21 dhjetor është datë shumë e afërt, ka procedura, tenderë. Andaj e kam vlerësuar datën 28 dhjetor”, tha ajo.
Ndonëse e para e shtetit ka vendosur datën e propozuar nga VV-ja, ajo ka mohuar se ka mbajtur anën partisë në pushtet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Ajo ka treguar së në vitin 2021 kishte vendosur kundër propozimit të Albin Kurti për shtyrje të datës së zgjedhjeve lokale.
“Siç kanë thënë disa njerëz shumë par nesh e shumë më të mençur se ne: nëse askush nuk të akuzon për asgjë, atëherë nuk ke qëndruar për asgjë. Në vitin 2021 kur partia në pushtet që kishte më shumë se 50 për qind të votave kërkonin që unë ta shtyja datën e zgjedhjeve lokale dhe kishim një opozitë shumë më të vogël se që është sot, unë vendosja në favor të kërkesës së opozitës që mos të shtyhej data e zgjedhjeve lokale, sado që kisha të drejt kushtetuese a bëjë një gjë të tillë. Edhe pse e zgjodha datën e favorshme për opozitën prapë u akuzova se po koordinohem dhe po ia bëj qefin Kurti”, ka thënë Osmani.
Menjëherë pas caktimit të kësaj date, nuk u vonua falënderimi nga Albin Kurti.
“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin”, tha Kurti.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e quajti vendim të njëanshëm.
“Data e zgjedhjeve u përcaktua 28 Dhjetor. Le ta shndërrojmë këtë ditë në momentin e rikthimit të përgjegjësisë, maturisë dhe vizionit politik që i duhet Republikës sonë. Edhe pse vendim i njëanshëm i Presidentes, kjo datë mbetet një mundësi historike për ta rikthyer institucionin te qytetari dhe te vullneti i shumicës. Vendimmarrja nuk mund të jetë e plotë pa zërin e popullit, prandaj 28 Dhjetori është dita jonë. Diasporën tonë e mirëpresim me zemër të hapur. Vota juaj nuk është vetëm numër është forcë, është përgjegjësi dhe është pjesë e pandashme e rrugës sonë politike. Bashkë për Kosovën!”, ka shkruar Blerta Deliu-Kodra.
Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po e mbyll mandatin e saj si e para e shtetit ashtu siç e kishte filluar.
Selimi e ka quajtur Osmanin një figurë nën hijen politike të Albin Kurtit, pa rezultate reale dhe me një rekord të politikave për interesa personale.
Ndërkohë, shton Selimi, Kosova përballet me krizën më të keqe të kostos së jetesës dhe izolimin më të thellë në dekada.
“ Presidentja në largim Osmani e përfundon mandatin e saj ashtu siç e filloi: një figurë e zbehtë politike e lënë në hije nga vendimmarrësi i vërtetë Albin Kurti, pa rezultate reale dhe me një rekord të politikave për interes personal., ndërsa Kosova përballet me krizën më të keqe të kostos së jetesës dhe izolimin e saj më të thellë në dekada”, ka shkruar Selimi.
Selimi: Vjosa Osmani po e përfundon mandatin e saj ashtu siç e filloi, nën hijen e Albin Kurtit











