Kurti: Do të marr pjesë në takimin e thirrur nga Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar një takim konsultues me liderët e partive parlamentare, që do të mbahet më 3 korrik, në përpjekje për të adresuar situatën politike të krijuar tash e pesë muaj.

Ftesës së Osmanit tashmë i janë përgjigjur pozitivisht një pjesë e krerëve partiakë, përfshirë kryeministrin në detyrë dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ky i fundit konfirmoi pjesëmarrjen gjatë një deklarate në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Kam marrë pjesë më herët e do të marrë pjesë edhe tash”, tha Kurti, duke shtuar me një ton kritik ndaj pyetjes së gazetarëve: “por, dy urat sot janë tema”.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar gjithashtu edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në takim do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo-shqiptare.

Ky takim vjen në një kontekst bllokimi institucional dhe paqartësie për hapat e mëtejmë politikë, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka përfunduar, pavarësisht vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon përmbylljen e saj brenda 30 ditëve.

The post Kurti: Do të marr pjesë në takimin e thirrur nga Osmani appeared first on Kosovapost.net.