Në vitin 2017, kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte insistuar që kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit, Kadri Veseli, të dilte dhe të matej para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Shiko a i ke 61 deputetë. Dil matu, pse nuk po del të matesh?” i kishte thënë Kurti, Veselit gjatë seancës konstituive në vitin 2017.
E njëjta gjë nuk po ndodh edhe tani. Dita e seancës konstituive ishte paraparë sot, por ajo nuk ndodhi sepse kryetari i LVV-së nuk kishte dhënë dorëheqje konform Ligjit dhe Kushtetutës para betimit të tij si deputet.
Neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton qartë se deputeti nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv.
“Deputeti i Kuvendit të Kosovës nuk mund të mbajë ndonjë post ekzekutiv në administratën publike ose në ndonjë ndërmarrje në pronësi publike, dhe as të ushtrojë ndonjë funksion tjetër ekzekutiv, sikurse është përcaktuar me ligj”, thuhet në nenin 72 të Kushtetutës së Kosovës.
Kurti duket se kishte njohuri për këtë dhe me qëllim e ka përdorur si mjet për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai tashmë e ka të qartë që nuk i ka votat as për kryetar e as për kryeministër.