Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti sot Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Në takim u diskutua për zhvillimet në vend, gjendjen e komuniteteve joshumicë – në veçanti të komunitetit serb – si dhe për rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Qeveria ka njoftuar se Kurti e informoi emisarin Sorensen lidhur me mbështetjen financiare që u është dedikuar ndër vite komunave me shumicë serbe, me theks të veçantë në ato në veri të vendit, si dhe për rezultatet e politikave të punësimit dhe hapjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore.
“Sipas të dhënave, që nga prilli i vitit 2024, mbi 800 qytetarë të këtyre komunave kanë gjetur punë përmes programit qeveritar ‘Qeveria për Familjet’, ndërsa nga 1 janari i vitit të kaluar janë regjistruar mbi 430 biznese të reja në këto komuna”, thuhet në njoftim.
Kurti theksoi gjithashtu se, pas dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, rreth 200 policë të rinj nga komuniteti serb tashmë i janë bashkuar Policisë së Kosovës dhe po u shërbejnë qytetarëve pa dallim etnie.
Ai shtoi se gjatë dy viteve të fundit nuk është shënuar asnjë incident ndërmjet punëtorëve shqiptarë dhe serbë, as në kompanitë private ku ata punojnë bashkë, e as në institucionet publike ku shërbejnë së bashku qytetarëve të komunave përkatëse.
Kjo, sipas tij, dëshmon se qasja dhe veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve tjera shtetërore janë në funksion të integrimit të qëndrueshëm të komunitetit joshumicë serb.
Në anën tjetër, Kurti i shprehu emisarit Sørensen shqetësimin e tij lidhur me deklaratat e vazhdueshme kërcënuese të udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës, si dhe për arrestimet arbitrare të qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë udhëtimeve të tyre tranzit përmes Serbisë nga autoritetet serbe.
Ai kërkoi reagim të qartë dhe dënues nga komuniteti ndërkombëtar ndaj këtyre veprimeve.
The post Kurti dhe Sorensen diskutojnë për veriun dhe Marrëveshjen e Brukselit appeared first on Kosovapost.net.