Kurti dhe rrena e tij e madhe për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shpesh i ka ngrënë fjalët e veta, duke zënë veten në rrenë për deklarata të mëhershme. Këtë e ka bërë edhe më 19 mars kur ka folur për çështjen e Asociacionit pasi ka pranuar dokumentet nga strukturat ilegale serbe. Çështja e Asociacionit përsëri e ka zënë në gënjeshtër.

Çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo “Zajednica”, siç e quante sa ishte opozitar, shpesh ia ka shpalosur dy fytyrat Kurtit. Herë thoshte se e ka pranuar, herë thoshte se nuk e ka pranuar.

Që prej ardhjes në pushtet e ka kundërshtuar veten për Asociacionin, ashtu siç e ka bërë edhe më 19 mars të vitit 2026.

Në një përurim të segmentit të rrugës për në Mitrovicë, tha se nuk ka Asociacion.

“Shpesh herë eksponentë të opozitës kanë thënë që e bëri “Zajednicën” këtë muaj, do ta bëjë muajin e ardhshëm, por ju e dinë që 5 vjet janë 60 muaj e nuk ka “Zajednicë””, ka thënë Kurti më 19 mars 2026.

Mirëpo tre vjet më herët, thoshte se ka Asociacion në planin e Evropës, të cilin e kishte pranuar ai. Në një intervistë në RTK më 22 mars të vitit 2023 e kishte pranuar se ka Asociacion.

“Ka asociacion, neni dhjetë thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat mbeten valide dhe të obligueshme”, kishte thënë Kurti në këtë intervistë.

“Zajednica” e opozitarit Kurti

Albin Kurti si kryeopozitar, që prej vitit 2013 kur ishte nënshkruar marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, kishte nisur kundërshtimin e tij për ujdinë e Brukselit.

Fillimisht ia kishte vendosur një epitet në gjuhën serbe të emërtuar si “Zajedinicë” e pastaj të njëjtët e kishte kundërshtuar me protesta të dhunshme në rrugë me lëvizjen e tij Vetëvendosje.

Bashkë me qindra aktivistë ishte arrestuar gjatë atyre protestave.

Dy vjet më vonë, në vitin 2015 thoshte se është marrëveshje që bosnjëzon Kosovën.

“Kjo qeveri po e ia jep çerekun e shtetit tonë Serbisë përmes Zajednicës që na bosnjëzon…”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti në protestën e mbajtur më 28 nëntor 2015.

Me premtimin për zhbërjen e Asociacionit nisi edhe ngritjen në pushtet.

Dhe më shumë se 10 vjet më vonë, Kurti i ndërroi fjalët.

Dhe që prej vitit 2021, fjala “Zajedinicë” u harrua. Si shef i qeverisë iu kthye gjuhës shqipe duke nisur ta përdorte fjalën “Asociacion”, por herë thoshte se do ta formonte e herë se nuk do ta formonte Asociacionin. Herë thoshte se e ka problem të trashëguar nga paraardhësit e tij.

Ndërkaq, në vitin 2022, Kurti në një seancë të Kuvendit të Kosovës doli me kushte për pranimin e Asociacionit.

Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.

Po ashtu, Kurti ka thënë se nuk mund të ketë Asociacion monoetnik, nuk duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

-Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

-Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

-Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raport me Kosovën.

-Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE, që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Draft-statuti i ndërkombëtarëve

Pas trysnisë së vazhdueshme, diplomatët perëndimorë hartuan një draft-statut të këtij asociacioni, të cilin ia dorëzuan Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit 2023.

Pas prezantimit të këtij draft-statuti, Kurti nisi t’i zbuste fjalët.

Pas takimeve me liderët evropianë dhe të Bashkimit Evropian në Bruksel më 26 tetor, Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin për draft-statutin e Asociacionit dhe ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, por kjo ishte kundërshtuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndërkaq në një seancë të Kuvendit të Kosovës, Kurti kishte thënë se draft-statuti i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtar, kishte qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, kishte thënë Kurti më 3 nëntor të vitit 2023.

Megjithatë, as këtë draft-statut zyrtarisht ende nuk e kishte pranuar. Por kishte thënë se drafti është “pakrahasueshëm më i mirë” sesa marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

“Ta pranosh nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit”, kishte thënë Kurti, duke shtuar se ai ka ofruar që ta nënshkruajë atë dhe “si rrjedhojë ta pranoj”.

Një vit më vonë, më 14 prill, nga Strasburgu në Francë, Kurti kishte deklaruar se nuk mund të bënte hapa që rrezikojnë Kosovën kur ishte pyetur nëse do të pranonte Asociacionin.

“Unë nuk bëj hapa që rrezikojnë Kosovën, sovranitetin, integritetin territorial, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e saj, Tash e tri vjet e keni garancinë për këtë me qeverinë e Kosovës e cila me mundësinë dhe dijen që ka, ka vepruar siç duhet dhe sa duhet. Nuk është në rregull të flitet për Asociacionin për Komunat me Shumicë Serbe pa e përdorur në të njëjtën fjali Marrëveshjen Bazike. Ata që flasin për Asociacionin pa folur për marrëveshjen bazike dhe aneksin e zbatimit, më falni por e bëjnë punën e Beogradit. Rendi i gjërave në fjali është marrëveshja bazike, pastaj nenet 7 dhe dhjetë, jo qerrja para kuajve, por kuajt para qerres”, kishte deklaruar Kurti.

“Qartazi [Aleksandar Vuçiq] vazhdimisht flet për Asociacionin në mënyrë nostalgjie me paraardhësit e mi. Por ato ishin vitet 2013-15, nëse i ka mbetur merak Asociacioni është dashur ta kryej me ata, jo të më pres që të vijë unë e të bëjë punën e atyre. Marrëveshjen bazike e ka pranuar, aneksin e zbatimit e ka pranuar, le t’i zbatojë”, kishte shtuar kryeministri.

Asociacioni si pako

Krejt së voni më 17 shtator të vitit 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për “Al Jazeeran” ka pohuar se do të zbatojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm si “pako.

Kurti ka thënë se nuk është “kryeministër vetëm i shqiptarëve”, por i të gjithë komuniteteve etnike që jetojnë në Kosovë.

I pyetur nëse i ka thënë ‘po’ apo ‘jo’ Asociacionit, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se e ka pranuar themelimin e tij, por në paketën e Marrëveshjes së Ohrit.

“Natyrisht, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është diçka që e kam trashëguar nga paraardhësit e mi. Sidoqoftë, kjo është pjesë e Marrëveshjes Bazike tani. Neni 7 thotë se ‘Komuniteti serb duhet të ketë vetëmenaxhim’. Në anën tjetër, neni 10 thotë se “të gjitha marrëveshjet paraprake të nënshkruara duhet të zbatohen”. Pra, unë nuk po e mohoj atë, sidoqoftë vetëm si pjesë e një pakoje të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës me njohje reciproke”, ka insistuar Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij./Paparaci.com.