Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se qeveria e ardhshme synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes ekonomike në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se shërbyesit civili do të përfitojnë pagën e 13-të, e cila pritet të zbatohet nga buxheti i vitit 2026.
Kurti ka deklaruar se kjo pagesë do t’u ndahet të gjithë punonjësve të sektorit publik dhe ndryshe nga praktikat e deritanishme, do të jepet në fillim të vitit, e jo në fund të tij.
Rrahman Jasharaj: Paga e 13-të e mirëseardhur për punonjësit e arsimit, prioritet mbetet nënshkrimi i kontratës kolektive
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) Rrahman Jasharaj, tha për Front Online se mbetet të shihet nëse paga e 13-të do të realizohet, por nëse zbatohet do të ishte një mbështetje e mirëseardhur për punëtoret e arsimit.
“Presim nëse realizohet vërtet do të ishte një mbështetje e mirë edhe pse ne në kontratë e kemi, ta marrin pagën e 13 punëtoret e arsimit që dallohen në punën e tyre e tash sa kemi kuptuar Kryeministri mendon t’ju jap të gjithëve është e mirëseardhur dhe punëtoret arsimor do të ndihmohen me një pagë shtesë”, tha ai.
Ai shtoi se nga qeveria e ardhshme presin të mos ketë qasje të gabuar ndaj sindikatave, por dialog si dhe angazhim pasi prioritet i tyre do të jetë nënshkrimi i kontratës kolektive.
“Nga kjo qeveri presim qe të mos e ketë qasjen e gabuar ndaj Sindikatës sonë dhe Sindikatave tjera, presim dialog, presim që angazhimi i ynë i parë do të jetë që të nënshkruhet kontrata kolektive, sepse jemi nga vendet e rralla në botë që nuk ka kontratë kolektive”, tha Jasharaj për Front Online.
Jasharaj tha se bazuar në përvojën me këtë qeveri, pritje do të kenë për realizimin e kërkesave të tyre por do të jetë e vështirë për shkak të mungesës së dialogut.
Ndërsa shtoi se do të kërkojnë rritje pagash të ngjashme me ato në Shqipëri.
“Nëse bazohemi përvojën 5 vjeçare të kësaj qeverie, pritjet mund të jenë por realizimi do të jetë tepër i vështirë sepse kanë zakon të mungoj dialogu. Ne do të kërkojmë rritje pagash ashtu siç i kanë kolegët tanë në Shqipëri”, shtoi ai.
Imeri për pagën e 13-të: E mirëseardhur, por shëndetësia kërkon trajtim urgjent
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri, në një prononcim për Front Online tha se paga e 13-të nëse miratohet, është e mirëseardhur për punëtorët shëndetësorë.
“Nëse miratohet është e mirëseardhur, punëtorë punojnë 40 orë në javë janë të parapara me ligj, që i bie 160 orë në muaj, çdo muaj i kemi nga 2-3 ditë tepër dhe krijohet një pagë e plotë, një muaj i punës fiks, ne e kemi kalkuluar dhe mendojmë që duhet të paguhet edhe më herët”, tha ajo.
E pyetur nëse kanë edhe kërkesa të tjera përveç pagës së 13-të, kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Imeri, tha se problemet në sektorin e shëndetësisë janë të shumta, por momentalisht nuk kanë se kujt t’i drejtohen.
“Kërkesa kemi shumë, ne e kemi një sigurim shëndetësor një sigurim social, ne kemi infrastrukturë të vjetruar në shëndetësi, kemi probleme shumë dhe i kemi adresuar, por meqë ende nuk janë krijuar institucionet momentalisht nuk kemi kujt me ju drejtu”, tha Imeri për Front Online.
Imeri tha se sektori i shëndetësisë ndër vite nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie, duke shprehur shpresën që qeveria e ardhshme ta trajtojë këtë fushë me urgjencë.
“Shëndetësia nuk ka qenë prioritet e asnjë qeverie, shpresoj që kjo qeveri që bëhet ta trajtoj si prioritet dhe ta trajtoj me urgjencë”, shtoi ai.
Sindikata e Administratës Publike kërkon rritje të koeficientit për 50%, paga e 13-të nuk mjafton
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, Ali Gashi, ka thënë për Front Online se çdo vendim që kontribuon në mirëqenien e zyrtarëve publik është i pranueshëm për sindikatën, por se paga e 13-të nuk i plotëson pritjet e tyre.
“Çdo vendim i cili kontribuon në mirëqenien e një zyrtari publik për ne është e pranueshme, megjithatë konstatojë që nuk është brenda pritjeve tona”, tha ai.
Ai sqaroi se arsyeja pse paga e 13-të nuk i përmbush pritjet e sindikatës lidhet me kërkesat më të gjera që kanë ndaj qeverisë.
“Ne si Federatë Sindikale e Administratës Publike e kemi bërë shumë të qartë, që kërkojmë rritjen e vlerës së koeficientit për 50%, plotësim-ndryshim i ligjit zyrtar publik dhe ligjit të pagave si dhe fillimin e implementimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore si dhe marrëveshjes kolektive këto janë disa nga kërkesat”, tha Gashi./Front Online










