Kurti: Asnjë deputet s’e lajmëroi Haxhiun për arsyen e mungesës, prandaj lënda është në Gjykatë

Kryeministri Albin Kurti tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë obligim që të qëndrojnë në seancë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Por të kundërtën e kanë bërë deputetët e opozitës të premten, tha sot Kurti në një konferencë për media.

“Asnjë deputet i cili mungoi nuk e ka njoftuar kryetaren e Kuvendit, znj. Haxhiu, për arsyen e mungesës. Prandaj tash kjo lëndë është në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kurti.

“Është obligim kushtetues i të gjithë deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çfarë i ka zgjedhur populli i Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, 2025 dhe të vijnë në vendin e tyre të punës, në seancat plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë”, u shpreh ai.

Kurti tha se Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e fundit për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Tash ndodhemi në një situatë ku unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese”, tha Kurti.