Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se do të anulojë takimin e nesërm në Forumin e Prespës për të pritur në takim veteranët e UÇK-së të cilën protestuan sot për të kërkuar përfshirjen e tyre në ligjin për pagën minimale, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se është pro që veteranët të kenë kompensim më të lartë se paga minimale, por sipas tij, këtë e meriton numri i veteranëve të vërtetë.
“Qeveria me politikat dhe deklarimet e saj gjithmonë ka shprehur mirënjohje për ata që kanë kontribuar në çlirimin e vendit. Nuk besoj që ne dallojmë sa i përket respektit dhe mirënjohjes së veteranëve. Ne mund të dallojmë në bindjen tonë mbi numrin e tyre. Ky është debat që zhvillohet në shoqërinë tonë. Qeveria i ndan 120 milionë euro përafërsisht për kategoritë e dala në luftë, që është më shumë se për mbrojtjen e vendit. I bie 1.5% të bruto-produktit vendor”.
“Respekti po shprehet me buxhet. Por kur shikon përmbajtjen, aty kemi pas vërejtje edhe kur kemi qenë në opozitë. Pjesëmarrës në luftë kanë qenë më shumë se 60 mijë, por numri i veteranëve është i fryrë. Dhe ky është gabim edhe për historinë që do t’iu mësohet fëmijëve tanë dhe brezave të ardhshëm. Nuk mund ta mashtrojmë askënd. Duhet t’i përmbahemi të vërtetës. Ka pasur mjaftueshëm veteranë për ta fryrë. Nuk është respekt e dinjitet për veteranët paga minimale. Nuk jepet paga për veteranë. Veteranët duhet të kenë kompensim, mirënjohje më të lartë se paga minimale, por numri i vërtetë. Por duhet të arrijmë te numri i vërtetë. Jam i gatshëm të bashkëpunojmë”, ka thënë ai.