‘Kurrë s’e harroj atë ditë’: Kurti vijon të mashtrojë për vendimin rreth çmimeve tavan, zotohet ta ribëjë ligjin

  • “Kurrë s’e harroj atë ditë”.

Albin Kurti i Vetëvendosjes e përcaktoi fajtorin e shportës së shtrenjtë: Gjykatën Kushtetuese. Kur jeta është shtrenjtuar dhe paraja zhvleftësuar me inflacion që i ka bërë eurot centa, ai zë në gojë para zgjedhësve të mundshëm të vet në fushatë zgjedhore se kjo e ka një adresë ku duhet kërkuar keqbërësin, te nëntë gjyqtarë kushtetues të cilët “nuk e lanë” që ai të vendoste çmime tavan për produkte elementare. Kjo, s’do shumë mend, ishte larg të vërtetës, por si tregim elektoral për të pamësuarit në çështje të ndarjes së pushteteve, tregut të lirë dhe logjikës kushtetuese vazhdon të jetë mëse bindës. Para dy vitesh Gjykata Kushtetuese vendosi që “mund të bëhet” një gjë e tillë e vendosjes së çmimeve tavan, por ajo duhet të bëhet nga një organ i pavarur i themeluar nga legjislativi dhe jo nga qeveria dhe në duar të qeverisë. Efektivisht, Gjykata Kushtetuese i tha “Jo” kontrollit politik të çmimeve, çfarë ishte logjika e brenda/jashtë juridike e ligjit të Vetëvendosjes. Që nga nëntori i para dy vitesh, Kurti s’bëri asgjë që të përmirësojë ligjin e shkruar dhe që për këtë autoritet të vendosjes së çmimeve tavan në kohëra të destabilizuara të ketë organ të pavarur. Vetëm ai, dhe askush tjetër. “Kurrë s’e harroj atë ditë, por duhet ta harroj atë ditë, duhet të ecim përpara me çmime tavan, që shporta të jetë e kufizuar dhe e përballueshme, për klasën e mesme dhe të varfër”, tha ai.

Në fund të vitit 2022, kur rritja e çmimeve shkoi në përmasa shqetësimi dhe reagimi të madh të madh publik, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga partia Vetëvendosje shkroi dhe shtyu para ligj që premtonte “lehtësim të menjëhershëm”. Ligji parashihte mundësi që qeveria vetë të vendoste çmime tavan për produkte themelore në raste të ashtuquajtura të “destabilizimit të tregut”: në bukë, miell, vaj, qumësht, kripë, vezë (etj.). Mesazhi e porosia që qohej ishte se qeveria do të ishte e gatshme të ndërhynte aty ku tregu kishte dështuar. Ndërsa te Gjykata Kushtetuese çështja nuk ishte nëse çmimet mund të rregullohen, por kush i rregullon ato, si, dhe brenda cilëve kufij kushtetues.

Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit të Tregut, i jepte ekzekutivit kompetenca të gjera. Kur qeveria do të vlerësonte vetë se tregu është “destabilizuar”, ajo mund të vendoste çmime çati, të kufizonte marzhet e fitimit, sasinë e shitjes, të detyronte mbajtjen e stoqeve dhe të shqiptonte sanksione ndaj operatorëve ekonomikë. Këto masa, sipas asaj çka shkruhej në ligj, do të zbatoheshin përmes vendimeve ministrore ose të kryeministrit. Ligji paramendonte një komision këshillëdhënës, por vendimmarrja reale mbetej në duart e qeverisë. Në praktikë, kjo do të thoshte se kontrolli i çmimeve, zbatimi dhe mbikëqyrja shkriheshin në të njëjtin pushtet politik.

Një grup depuetësh opozitarë dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese për rishikim kushtetues para hyrjes në fuqi. Ata argumentuan se ligji shkelte parimet themelore ekonomike të Kushtetutës: ekonominë e tregut të lirë, sigurinë juridike dhe detyrimin që rregullimi i tregut, kur është i domosdoshëm, bëhet përmes organeve të pavarura. Gjykata u pajtua. Neni 10 i Kushtetutës së Kosovës e përcakton ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë si bazë të rregullimit ekonomik. Neni 119 shkon thekson se kur tregu nuk arrin ta mbrojë interesin publik, Republika e Kosovës “krijon organe të pavarura për rregullimin e tregut”.

Interpretimi i Gjykatës ishte se ndërhyrja në çmime është kufizim serioz i lirisë ekonomike. Ajo mund të lejohej në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm nëse zbatohet përmes mekanizmave të pavarur rregullatorë, të mbrojtur nga ndikimi përditor politik. Ligji i kontestuar s’e plotësonte këtë standard. Ligji ia bartte pushtetin vendimmarrës drejtpërdrejt ekzekutivit, e jo një autoriteti të pavarur të krijuar dhe të kontrolluar nga Kuvendi. Siç vlerësoi Gjykata, kjo qasje cenonte standardin kushtetues të pavarësisë dhe parimin e sigurisë juridike. Për shkak se këto mangësi ishin thelbësore, ligji u shpall i pavlefshëm, dhe Gjykata Kushtetuese tregoi pjesët që duhet përmirësuar për t’u jetësuar si ligj kushtetuetshmërisht në rregull.

Por, çka nuk tha Gjykata?

Vendimi u keqinterpretua qëllimisht nga Vetëvendosje për t’iu servuar me përdredhim debatit publik. Gjykata nuk kishte konstatuar se çmimet tavan janë në vetvete antikushtetuese dhe as nuk e ndaloi ndërhyrjen shtetërore në treg: por edhe dhe as nuk mohoi realitetin e inflacionit apo nevojën për mbrojtjen e konsumatorit. Ata refuzuan kontrollin politik të çmimeve. Kushtetuta, siç e lexuan ata, lejon ndërhyrje, por kërkon disiplinë dhe pavarësi institucionale. Një qeveri që mund të caktonte çmime me vendim një ditë “për bukën”, në tjetrën ditë mund ta bënte këtë për interesa elektorale, për ndëshkim të përgjedhur apo edhe për manipulim tregu. Ky ishte shqetësimi i Gjykatës.