Janë publikuar disa audio incizime në të cilat pretendohet se kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi, flet për negocim kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e biznesmenëve që do të merreshin me servisimin e makinave të ndërmarrjes.
Incizimet dëshmojnë se kryeshefi e ka pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga, për të dalë dhe për të gjetur kompani që servisojnë makina.“Jam shku te N.R. edhe te Xh., se Nita më tha. Unë vetë- personalisht… I thash a ka bre mundësi me na dhonë dokumentet, licencën, veç me e bo një kontratë- nuk ke me i servisu ti kerret. Nëse don me i servisu – servisoj” – dëgjohet në audioincizim kryeshefi Krasniqi, duke treguar se si ka shkuar te një kompani e caktuar për t’i kërkuar vetëm dokumentacionin për nënshkrimin e kontratës.
“Jam shku …, i kam thënë djalit të vetë: a po na jep vetëm të drejtën se je kompani dhe faturimet dalin kah ti. Më ka thënë: drejtor më vjen keq, nuk du me e ngarku kompaninë, është e ngarkume, cdo faturë ma kanë lypë (nuk kuptohet), kontabilisti, hymja, dalja (nuk kuptohet)… nuk po du me e ngarku kompaninë”, dëgjohet Krasniqi.
KALLXO ka dërguar këto audioncizime te Krasniqi dhe ai ka konfirmuar vërtetësinë e tyre.
Hulumtimi dëshmon se pas këtij procesi, kontrata u nënshkrua me një operator ekonomik, ndërsa servisimi i makinave në realitet po kryhet në kompaninë që e drejton vëllai i negociatorit, Valon Gunga, pra te kompania 4G Auto, në pronësi të Dukagjin Gungës.
Dosja tregon që KRU Gjakova ka hapur një tender emergjent për servisimin e veturave, me një vlerë prej 50 mijë eurosh.
Në këtë tender ftohen për të ofertuar dhe negociuar tre kompani: kompania me emrin “Te Beka”, kompania “Top Group” dhe kompania “AM-Bur”.
Në fund kontrata nënshkruhet me kompaninë me emrin “AM-Bur” me pronar Sulejman Burjani.
Kontrata është nënshkruar me 29 nëntor 2024. Vlera e saj është mbi 29 mijë euro dhe vlen për 5 muaj.
Menaxher të kontratës nga ana e KRU Gjakovës janë përcaktuar: Blin Rudi e Besnik Kusari si inxhinier në KRU “Gjakova” dhe Valon Gunga, shofer.
Gunga është shoferi i kryeshefit dhe ai ishte ngarkuar që të mbikëqyrë kontratën.
Me 03.03.2025 mediumi ka gjetur se në autoservisin e familjes Gunga, ishin duke u servisuar dy vetura zyrtare të KRU Gjakovës.
Pra, punët i kryente Dukagjini, ato ia miratonte vëllai i tij Valoni si menaxher i kontratës, ndërsa paratë paguhen te Sulejmani Burjani, që është pronar i kompanisë “AM-Bur”.
Hasan Krasniqi nuk e mohon se e njeh pronarin e kompanisë me të cilën është nënshkruar kontrata.
“Si qytetar i Gjakovës, në servis të automjeteve e kam qu kerrin najherë me ndreq te ai- kerrin privat. Asnjëfarë lloj afërsie nuk kam. Unë kam afërsi dhe rri me to. E di që i ke fotografitë. Unë tregova, kam afërsi me to si pjesëtar ku i servisoj kerret. Udhëtime po- ndeja nuk besoj që kam nejt najher me to. Për në kafiç ka mundësi, mirëpo moti” – arsyetohet Krasniqi.
Në lidhje me audioincizimet teksa dëgjohet duke thënë se do të angazhohet personalisht për të gjetur kompani për të nënshkruar kontratën, Krasniqi thotë se ka qenë ‘moment i nervozës’ pasi sipas tij, zyra e prokurimit kishte dështuar që të gjejë kompani që do të ofertonin në tenderin për servisimin e veturave.
“Kjo u kon momenti kur ne jemi bllokuar dy muaj pa servisim të automjetit. Dhe zyra e prokurimit dy muaj thojke nuk po gjejmë firmë për me e kry servisimin e automjeteve, me negociim. Qysh more nuk gjen. Dhe në fund dul se deri diku ata kishin të drejtë, se ish problematike kjo punë. Tash në bisedë e sipër, ju kam treguar që kjo punë mundet me u bo nëse i shkoni një servisit, se negociimi bëhet me tri oferta që na i dojmë. Në këtë kuptim, çka ka jashta ligjore” – ka thënë Krasniqi.
Kurse në lidhje me atë se veturat zyrtare të KRU Gjakovës ishin duke u servisuar në kompaninë e familjes së shoferit të tij, Krasniqi është arsyetuar duke pretenduar se kompania që ka nënshkruar kontratën “ka të drejtë t’i dërgojë ku të dojë veturat”.
“Tash kompania fituese që e ka kontratën me neve, ka brende të ndryshme: WV, Reno, Fiat, Iveco, Isuzu. Kemi makineri komerciale që janë skipa dhe bagera të ndryshëm. Nuk e kemi nda në LOT-e, për këtë brend ose për komercialet, por jemi fokusuar me ia japë një operatori i cili varësisht prej llojit dhe brendit të automjeteve ka të drejtën me nënkontraktu, për shembull: komercialet shkon i servison te një tjetër, a mundet a s’mundet nuk e di. Firma fituese sa e di unë më tepër është e specializuar për WV” – ka pretenduar Krasniqi.
Mediumi ka provuar të kontaktojë me Valon Gungën, që është menaxher i kontratës dhe shofer i kryeshefit Krasniqi dhe në të njëjtën kohë në kompaninë e vëllait të tij po servisoheshin veturat e KRU Gjakovës, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Po ashtu, mediumi ka provuar të kontaktojë edhe me Sulejman Burjanin, nënshkruesin e kontratës me KRU Gjakovës, por gjithashtu kontakti me të ka qenë i pamundur.