“Kur vjen në shtëpi kam me të mbyt”, paraburgim për të dyshuarin që ushtroi dhunë ndaj nënës, motrës dhe vëllait

Gjykata Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka caktuar paraburgim ndaj Y.V që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës, motrës dhe vëllait të tij.

Sipas kërkesës, “me datë 20.10.2025, rreth orës 17:30 min, në fshatin S. – Komuna e Gjakovës, në shtëpinë e tyre, i pandehuri ushtron dhunë dhe keqtrajtim fizik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër, këtu ndaj të dëmtuarve – nënës se tij, motrës se tij dhe vëllait të tij, në atë mënyrë që ditën kritike për shkak të një mosmarrëveshje, i pandehuri revoltohet dhe e godet nënën e tij me shuplakë në fytyrë e me pas e godet edhe motrën pasi e njëjta kishte ndërhyrë për ti ndarë, derisa aty kishte ardhur vëllai i tij duke e larguar nga të dëmtuarat, dhe pasi që i njëjti ishte larguar nga aty i pandehuri i drejtohet vëllait me fjalët se “kur vjen në shtëpi kam me të mbyt”, me çka tek të dëmtuarit ka shkaktuar frikë dhe shqetësim emocional.

“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Dhuna në familje” e sanksionuar me nenin 248 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek të dëmtuarit, apo duke e përsëritur veprën penale.  I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 21 tetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 20 nëntor 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.”