“Kur Vetëvendosje rrokullisnin kamionë rritja ekonomike ishte rreth 6%, si u përplasën Murati e Bajrami

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami janë përplasur për rritjen ekonomike të vendit. I pari ka deklaruar se Kosova parashikohet të ketë rritje ekonomike sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kurse e dyta ka demantuar Muratin duke i thënë se në vitet e mëhershme vendi ynë kishte rritje ekonomike deri që shkonte deri rreth 6%, shkruan Reporteri.net.

Përplasja e tyre nisi pasi Murati publikoi disa të dhëna nga FMN ku sipas tij sivjet  Kosova parashikohet të ketë rritjen më të madhe në rajon prej 3.9%.

“Lajme që duhet t’i shihni 📢 Sipas raportit më të fundit të FMN-së, Kosova edhe sivjet do ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Kjo do të arrihet përkundër sfidave e krizave globale, si dhe duke mos e thelluar deficitin apo borxhin publik”, ka shkruar Murati.

Ai ndërkaq thumboi të gjithë ata që kanë kanë prongnozuar të kundërtën.

“Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë, dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën”, ka shkruar Murati.

Por, Muratit i reagoi ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami nga LDK e cila publikoi disa të dhëna të viteve të më hershme, ku sipas saj Kosova kishte rritje më të madhe e që shkonte rreth 6%.

Bajrami ka ndarë të dhënat e viteve 2015, 2016, 2017, 2018 e 2019, duke thënë se në këtë kohë Murati dhe Vetëvendosje rrokullisnin kamionë e gjuanin gaz lotsjellës.

“Atëherë kur deputeti Murati me bashkëpartiakë rrokulliste kamionë, gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend e i sulmonin institucionet me mollotov gjendja ekonomike ka qënë më e mirë se sa ajo që kemi sot. Në atë kohë, norma e inflacionit ka qënë pothuaj e pavrejtshme, por në vitin 2015 rritja ekonomike ka qënë 5.9%, në 2016 ka qënë 5.6% dhe në vitin 2017 ka qënë 4.8%, të dhëna këto të Bankës Botërore. Sot, Hekurani na qenka krekosë me normë të rritjes 3.9% dhe paska thënë se këtë lajm duhet ta shohim të gjithë, por ajo çka Hekurani s’po përmendë asnjëherë është inflacioni i lartë – norma e inflacionit në shtator ishte 4.7%”, ka shkruar Bajrami.