Kur rrjetet sociale zëvendësojnë barnatoren: rreziku i produkteve online në Kosovë

Artikulli është realizuar nga Agnesa Qorri 

Dora e saj kishte qenë e skuqur për javë të tëra. Çdo krem që i përshkruanin dermatologët ofronte vetëm një lehtësim të përkohshëm, ndërsa irritimi kthehej më i fortë se më parë. E lodhur dhe e dëshpëruar, Dardanë Zekaj vendosi të provonte një përzierje bimësh që i sugjeroi një “mjeke popullore”, me shpresën se do të gjente një zgjidhje përfundimtare.

Por ndodhi e kundërta, lëkura mu acarua edhe më shumë,” rrëfen Dardana, duke kujtuar sesi shpresa për përmirësim u kthye në dhimbje dhe irritim të shtuar. Ajo tregon se gjyshja e saj e kishte këshilluar të vizitonte zonjën e moshuar, dhe megjithëse ishte skeptike, dëshpërimi e shtyu ta provojë përzierjen.

Ajo tregon se gjyshja e saj e kishte këshilluar të vizitonte zonjën e moshuar, dhe megjithëse ishte skeptike, dëshpërimi e shtyu ta provojë përzierjen.

Ajo (mjekja popullore) më dha një përzierje bimore dhe më këshilloi ta vendosja direkt mbi zonën e irrituar të lëkurës. Fillova ta përdor me shpresën se më në fund do të gjeja një përmirësim. Por ndodhi e kundërta: lëkura mu acarua edhe më shumë, u skuq dhe më dhimbte më tepër se më parë. Në vend që të më ndihmonte, trajtimi e përkeqësoi dukshëm gjendjen time”, rrëfen ajo.

Dardana nuk e di saktësisht përbërjen e kremit, përveç se ishte “kinse bimor”.

Veç u kanë kështu përzierje e do bimëve shëruese, saktë nuk e di, veç e di që ajo ka pasë me i mbledhë ato bimë njëherë tani me i bë mix, janë kanë veç të grime bimët edhe diqysh si të thata,” kujton ajo.

Pas kësaj përvoje, Dardanë Zekaj nuk ka vazhduar më kërkimin e trajtimeve alternative dhe e ka menaxhuar gjendjen me kremra kortizon. “S’është që kam vazhdu me kërku mjekim më, se e pata kuptu që është ekzemë,” shpjegon ajo, duke treguar se përvoja e saj është një kujtesë e qartë e rreziqeve të produkteve të pacertifikuara dhe të pakontrolluara që shpesh reklamohen në rrjetet sociale.

Përvoja e Dardanës nuk është e izoluar. Shumë qytetarë në Kosovë bien pre e premtimeve të shpejta në rrjete sociale. Valeza Berisha, 24-vjeçare që kërkonte të shtonte në peshë, rrëfen për eksperiencën e saj me faqen “Shtopakpeshë” në Instagram.

Veç isha lodhur krejt më, ushqim, vitamina, ushtrime, asgjë s’po më ndihmonte. Isha 49 kg, 1.65 e gjatë… nën peshë krejt. Disa të familjes m’i rekomandun këto ilaqe për “shtim peshe”, se dikush i kishte provuar dhe kinse i kishin ndihmuar… e thashë, hajt, si zgjidhje e fundit po i provoj”, rrëfen ajo.

Kur erdhi pakoja, ajo kuptoi se diçka nuk ishte në rregull, ishte e mbështjellë pa kuptim, brenda një kuti pa asnjë shkrim, as përbërja, as udhëzime të përdorimit.

Hiq, zero informata”, rrëfen ajo.

Megjithatë i përdori disa ditë derisa filloi të ketë ndjesi të çuditshme në trup.

Trupi filloi të fryhej dhe si enjëtje ndjeja. E lashë menjëherë dhe pas disa ditësh gjithçka u kthye në normalitet. Veç që isha super e penduar që futa diçka të panjohur në trup. Kur e mendoj sot që i kam pi gati një muaj, më vjen trishtim” rrëfen ajo duke këshilluar të tjerët që të mos mashtrohen me këso produktesh në Instagram e TikTok.

Kur je keq, çdo reklamë duket si zgjidhje e shpejtë… por shëndetin nuk ia vlen ta rrezikoni”, përfundon ajo.

Në Facebook, Instagram dhe TikTok, çdo ditë shfaqen postime që premtojnë lëkurë perfekte, shërim të akneve, humbje peshe të shpejtë, rritje të flokëve apo qetësim të ekzemës. Ato duken të padëmshme, një vajzë apo djalë që tregon rutinën e mbrëmjes, shpesh të krijuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, një krem “bio” që “bën mrekulli” ose një serum që “rikthen lëkurën”. Në fund të çdo postimi, mesazhi është i thjeshtë “Shkruaj në inbox ose në numrin e telefonit…”

Por pas rrjeteve sociale, shtrihet një treg i tërë informal, i cili në Kosovë po lulëzon pa asnjë kontroll institucional. Produktet që marrin qindra e mijëra shikime e pëlqime, shpesh mbërrijnë në shtëpitë e konsumatorëve pa etiketë, pa dokumentacion apo informacion për origjinën, duke tejkalojuar kufijtë e marketingunt dhe duke kaluar në dezinformim të drejtpërdrejtë.

Në hulumtimin tonë janë identifikuar 25 produkte të tilla, nga kremra për ekzemë dhe kërpudha, tek çajra dhe kapsula për humbje peshe, e deri tek trajtime për fertilitet, hemorroide apo flokë dhe lëkurë. Shumica përdorin fjalë si “100% bio”, “shëron” ose “rekomanduar nga dermatologët”, pa asnjë provë klinike dhe pa emër të mjeku.

Shitësit që fshihen prapa këtyre faqeve në rrjete sociale, nuk ofrojnë adresa biznesi, numra kontakti të regjistruar apo fatura. Produktet dërgohen shpesh vetëm pas komunikimit përmes mesazheve, duke lënë konsumatorin të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve, ndërsa prezantohen si alternativa ndaj trajtimeve mjekësore profesionale.

Në mungesë të reagimit institucional dhe mbikëqyrjes efektive, rrjetet sociale janë shndërruar në hapësira ku produktet e paautorizuara qarkullojnë lirshëm. Këtë boshllëk e konfirmon edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila thekson se mungesa e një kuadri ligjor për rregullimin e tregtisë online të produkteve kozmetike dhe suplementeve krijon hapësira për qarkullimin e tyre pa kontroll.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se nuk ka ligj që specifikon rregullimin e produkteve të kozmetikës dhe kjo nënkupton që shumë qytetarë mund të mashtrohen lehtë dhe të bartin pasojat.

Për kozmetikë saktësisht nuk ka ligj që specifikon rregullimin e kozmetikës në të njëjtën masë si produkte medicinale për Kosovën. Kjo sugjeron se për shumë produkte “kozmetike” mund të ketë boshllëqe në zbatimin e rregullave gjë që mund të lejojë qarkullimin e produkteve pa kontroll rigoroz.” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Një boshëllëk tjetër është edhe mungesa e bazës ligjore për inspektime sistematike për tregtinë online të produkteve. Kjo gjë është konfirmuar nga MSH, të cilët kanë bërë të ditur se inspektimet bëhen “vetëm kur ka informacione të verifikuara për qarkullim të produkteve të paautorizuara” pasi shumica e këtyre produkteve shiten pa ndonjë adresë.

Mekanizma të kontrollit te produkteve kozmetike ekzistojnë të paktën në import / doganë ,por mungon baza ligjore për inspektime sistematike për tregtinë online dhe pakicë të produkteve kozmetike.” – kanë thënë nga MSH-ja.

Gjithashtu, në produktet që kemi identifikuar përbajnë gjuhë që pretendojnë se “shërojnë” sëmundje të ndryshme, e kjo gjë sipas MSH-së është e ndaluar rreptësisht pasi nuk lejohet shitja apo reklamimi i tyre online.

Produktet Medicinale janë te ndaluara rreptësishtë te shiten apo reklamohen online. Inspektorati ndjek dhe ndalon marketingun e produkteve medicinale të paautorizuara nga AKPPM, reklamohen nga persona jo-profesionistë, në raste të tilla ndërmerren masa sipas dispozitave ligjore ne fuqi. Nuk ka Ligj apo Udhëzim Administrativ që rregullon në mënyrë specifike marketingun e produkteve kozmetike apo suplementëve në rrjete sociale me veçanti kur bëhet nga persona privatë/influencerë.” – thekson MSH-ja.

Ndërsa, sipas MSH-së këto janë masat që merren ndaj kujtdo që shet produktet medicinale të paautorizuar nga institucionet përgjegjëse.

Inspektorati Farmaceutik ndërmerr masa ndaj çdo subjekti që: importon produkte pa autorizim, i shet ato në rrjete sociale pa licencë, përdor pretendime të rreme shëndetësore. Veprimet standarde janë: heqje nga tregu, konfiskim, gjoba administrative, kallëzim penal në rast të rrezikimit të shëndetit publik.”

Për tri vite, Inspektorati Farmaceutik ka pasur 4 raste ku janë ndëshkuar qarkulluesit me shumice për reklamim apo shitje te produkteve medicinale online.

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka konfirmuar se bazuar në listën e produkteve dhe të dhënat që posedon, asnjë nga 25 produktet e identifikuara nuk dëshmohet qartë si produkt medicinal.

Miratimi ose autorizimi për shitje i produkteve varet nga kategoria e tyre (produkte kozmetike, suplemente ushqimore apo produkte medicinale). Bazuar në listën prej 25 produkteve të identifikuara që shiten në rrjete sociale si dhe nga të dhënat që posedojmë rezulton se asnjë nga këto produkte nuk dëshmohet qartë si produkte medicinale. Vetëm ato produkte medicinale që janë të regjistruara në AKPPM kanë të drejtë të qarkullojnë në treg.” – thuhet në përgjigjen e AKPPM-së.

Ligji për “Produkte dhe pajisje medicinale”, neni 16 për “Autorizim për marketing të produkteve medicinale”, pika 1 thotë se “Produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM.”

Tutje, AKPPM ka theksuar se përdorimi i termeve mjekësore si “shëron”, “trajton sëmundje” e të ngjashme në produkte jomedicinale përbën shkelje ligjore.

“Produktet kozmetike dhe suplementet ushqimore nuk lejohen të përdorin pretendime shëndetësore apo mjekësore si “shëron”, “trajton sëmundje”, “parandalon” etj. Këto terma janë të rezervuar vetëm për produkte medicinale të miratuara dhe përbëjnë shkelje ligjore kur përdoren në reklamim të produkteve të tjera.” – thonë nga AKPPM.

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë konfirmoi se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë për 25 produktet që kemi identifikuar.

Policia e Kosovës (PK) ka konfirmuar se vetëm gjatë vitit 2025 janë inicuar dy raste të “mashtrimit të konsumatorëve” por që nuk kanë theksuar nëse mashtrimi është bërë me produktet e shitura online apo fizikisht.

Po ashtu, Policia ka theksuar se ka pasur tri raste të “mashtrimit të blerësve” gjatë vitit 2025, ndërave më 2024 nuk pasur asnjë rast të raportuar në PK.

Manipulimi me profile të rreme dhe komente mashtruese

Një gjë tjetër që bie në sy është manipulimi i këtyre faqeve online me komente të ndryshme, kinse kanë përdorur produktin e reklamuar. Ne kemi identifikuar disa profile të rreme që komentojnë në secilin produkt të këtyre faqeve, nën pretekstin se e kanë blerë produktin dhe kanë përfituar nga ai, duke pretenduar se janë shëruar pas përdorimit.

Për shembull, një profil i rremë që ka komentuar kinse ka përdorur “Krem Natyral që shëron Majasilin, Ekzemen, Psoriazën”, është Arta Fejza, e cila pretendon se është shëruar nga ky krem.

Desha të ju falenderoj nga zemra për këtë krem, është kremi më i mirë që kam përdor ndonjëherë. Kam pasur ekzemë, falë këtij kremi e kam kaluar total,” – ka komentuar ajo.

Arta Fejza që në profilin e saj në Facebook tregon se është nga Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një nga komentueset që ka përdorur disa nga produketet që shiten online. Ky profil është i rremë pasi tregon që është nga SHBA e jeton në Tavnik, vend diku në qendër të Serbisë, sipas lokacionit. Profili ka vetëm në fotografi të vendosur në profil kryesor dhe ka disa postime të bëra para disa viteve, disa në vitin 2012 e një foto profili në vitin 2024.

Profili Arta Fejza ka komentuar edhe tek profili “Bleta” ku shiten dhe promovohen produkte kremi nga “Helmi i bletës”. Ajo ka komentuar tek ky postim duke shkruar “Përshëndetje faleminderit për kremin e bletës është më të vërtetë shumë qetësues dhe i mire dhe i lirë, i rekomandoj të gjithë njerëzit që vuajnë me kockat që ta blejnë.”

Komentet e profilit “Arta Fejza” për përdorimin e produkteve nuk përfundojnë këtu, ajo gjithashtu ka përdorur edhe “Ekstrakt Bimësh për shërimin e Lukthit dhe Stomakut”.

Ju lutem, pasi që bera blerjen tek ju, unë u ndava i kënaqur, prandaj ju premtova që nëse ndahem i kënaqur do porosis prap. Dëshiroj 3 oferta në adresën time si herën e kaluar, ju lutem mi nisni tani” – shkruan i njëjti profil, duke iu referuar vetës tani me gjini mashkullore, ndonëse profili është në emër të gjinisë femërore.

E shumë qytetarë i kanë komentuar asaj në profil duke shprehur habim se si është e mundur një person të shërhohet prej disa sëmundjeve njëkohësisht: duke e kontestuar sinqeritetin e saj.

Po ashtu, edhe profili tjetër i rremë, Laureta Mehmeti, pretendon të njëjtën gjë për këtë produkt. Ky profil ka shkruar se “Fort fort e mirë ish për lukth se unë vet kam maru prej lukthit prej që e kam marrë këta bile ma s’kam kurfar dhimbje, hiç as fryerje as shtrëngim, as sen…”.

Ky profil, Laureta Mehemeti, ka vetëm dy fotografi e të cilat janë me kualitet të dobët dhe që nuk tregojnë saktësisht identitetin. Në profil shkruan se ajo jeton në Vushtrri. Profili nuk ka bërë asnjë postim që nga viti 2014, megjithatë me komente për produkte është aktiv.

Por kjo nuk është e tëra edhe profile të tjera të rreme kanë komentuar se kanë përdorur “Ekstrakt Bimësh për shërimin e Lukthit dhe Stomakut”.

Profili tjetër, Aregntaa Gashi, ka komentuar: “Unë kam pas ithat në lukth sa herë kanë hanger diçka gjithë më ka dhimbtë, prej që e përdori këtë ithatin ma ka largu, s’kam më dhimbje s’kam lodhje se mu shfaqëshin edhe lodhje, port ani pasi që e përdora këtë jam tejet mirë.”

Aregntaa Gashi ka komentuar edhe tek profili “Bleta” në postimin e njejtë me komentueset paraprake, duke mbështetur produktin. Ajo shkruan: “Unë jam përdorues e këtij kremi prej dy muajsh dhe jam më mire nga gjunjët, isha në pritje të operimit për të vendosur protezat po hoqa dorë menjëherë, kam porositur dhe për dy muaj të tjerë, ju flm shumë.”

Profili i rremë Aregntaa Gashil nuk ka asnjë adresë të banimit siç zakonisht kanë profilet e vërteta në Facebook. Në murin e saj në Facebook ajo ka vetëm tri fotografi, një nga to që ka të bëjë më një krem natyral. Po ashtu, nuk ka asnjë postim tjetër dhe nuk ka ndonjë “like” pëlqim në fotografitë që ka shpërndarë. Postimi i saj i fundit është bërë më 1 prill 2024 dhe nga atëherë nuk ka ndonjë postim tjetër.

Arta Fejza, Laureta Mehmeti, Aregntaa Gashi dhe profile të tjera të rreme me karakteristika të njejta si këto më lartë, si Egzona Saraqi, Valon Prekzai, Erblin Hoxha, Marigona Berisha e disa të tjerë,  komentojnë thuajse në të gjitha produktet që kemi identifikuar ne. Kjo praktikë bëhet me qëllim të bindjes së qytetarëve se produkti po blihet dhe ka efekt, duke përcjellë një mesazh të rremë dhe duke krijuar perceptimin e sigurisë dhe efikasitetit tek përdoruesit e tjerë.

Çfarë thonë profesionistët e shëndetit?

Dermatologia Dafina Krasniqi vëren një rritje të rasteve të dëmtimit të lëkurës nga produktet e blera online.

Ajo thekson se kremrat zbardhues apo produktet me merkur mund të shkaktojnë hiperpigmentim, reaksione të rënda lokale dhe deri tek helmimi sistemik. Produktet me acide të forta, të blera pa udhëzim profesional, po shkaktojnë djegie, infeksione dhe iritim kronik. Sipas saj, pacientet shpesh vijnë vetëm pasi kanë pësuar dëme të pakthyeshme.

Produktet online nuk garantojnë për përbërësit që deklarojnë,” thotë ajo.

Shpesh njerëzit mashtrohen nga promovimi agresiv, sidomos nga influencues që i përdorin këto produkte para kamerës si të ishin plotësisht të sigurta. Por kur vijnë te mjeku, dëmtimet janë serioze.”, shton ajo.

Ajo sugjeron që qytetarët të mos blejnë produkte pa etiketë të qartë, pa adresë prodhuesi dhe pa listë të përbërësve.

Mos përdorni produkte që fshehin informacionet themelore. Personi që ua shet produkte të tilla në Instagram nuk merr asnjë përgjegjësi.”

Edhe nutricionisti Besnik Humolli paralajmëron se produktet që shiten online pa përbërje të qarta dhe pa miratim profesional paraqesin rrezik serioz për shëndetin.

Produktet që shiten online si çajra-kapsula për dobësim, apo edhe shtim peshe pa etiketa të qarta, pa dozime të sakta dhe pa miratim profesional paraqesin rrezik serioz për shëndetin. Ato mund të përmbajnë substanca të fshehura siç janë lloj hormone, stimulues apo laksativë të fortë që ndikojnë në çrregullimin e ritmit të zemrës, luhatje të tensionit si dhe agravim të sistemit nervor dhe hormonal.” – thotë Humolli

Sipas tij, produktet që pretendojnë “detoks” apo përgatitje për shtatzëni pa analiza paraprake ushqyese dhe hormonale janë veçanërisht problematike.

Përdorimi i produkteve që pretendojnë pastrim të trupit apo metabolizmit pa analiza paraprake ushqyese apo hormonale shpesh mund të maskojnë problemet reale shëndetësore apo të vonojnë diagnostifikimin e saktë të tyre. Organizmi jonë nuk ka nevojë për “detoks” artificial sepse mëlçia dhe veshkat e kryejnë këtë funksion natyrshëm, natyrisht duke e shoqëruar me një ushqim të përzgjedhur nga nutricionisiti.” – shton ai.

Humolli tregon se ka trajtuar shumë pacientë që kanë pësuar efekte anësore nga produkte të blera në rrjete sociale.

Rastet më të shpeshta janë çrregullime gastrointestinale, probleme hormonale, ankth, pagjumësi, si dhe dëmtime të mëlçisë dhe veshkave. Shpesh pacientët nuk e lidhin menjëherë gjendjen me produktin e përdorur,” thekson ai.

Në këtë treg që po rritet çdo ditë, rrjetet sociale po zëvendësojnë barnatoren. Një pjesë e mirë e produkteve që janë identifikuar në këtë hulumtim nuk gjenden askund në farmacitë e vendit, ndonëse reklamohen si trajtime për probleme që në çdo rrethanë normale kërkojnë vizitë mjekësore. Kjo i vë qytetarët në një pozitë të rrezikshme, duke u lënë të vetëm përballë premtimeve mashtruese, praktikave të dyshimta dhe mungesës së plotë të mbikëqyrjes.

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.