Kur priten rezultatet preliminare të zgjedhjeve nga KQZ?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar të qetë dhe të rregullt procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa ka njoftuar se në shumë vendvotime ka filluar numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike.

“Këto çaste, në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike”, deklaroi Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, në konferencën për media të orës 19:30.

Ai shtoi se rezultatet preliminare priten të publikohen sonte rreth orës 22:30 apo 23:00, por qytetarët do të njoftohen me kohë për kohën e konferencës së fundit për rezultatet preliminare.

Nga të dhënat preliminare të më shumë se 98% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 819,859 votues, ose 44.56%. Ndërkohë, përditësimet në faqen zyrtare të KQZ-së tregojnë se kjo shifër ka tejkaluar 44,90%, me mbi 898 mijë votues.

Sa i përket procesit të votave nga diaspora, Radoniqi njoftoi se ato nga përfaqësitë diplomatike do të arrijnë gjatë javës së ardhshme, ndërsa votat me postë pritet të dorëzohen deri më 5 janar.

“Procesi i votimit me postë ka shkuar më ndryshe; ne i kemi dërguar përmes postës DHL fletëvotimet te ta. Të gjitha që i kemi pranuar në adresat tona do të tërhiqen dhe kthehen në Kosovë, më së voni deri më 5 janar për shkak të festave të fundvitit dhe vikendeve, ku shërbimi postar nuk punon. Sa i përket materialeve të votimit në përfaqësitë diplomatike, ato do të pranohen, por nuk ka datë të caktuar; megjithatë besoj se deri javën e ardhshme do të arrijnë të gjitha në Kosovë”, tha ai.

Radoniqi përmendi edhe ndërprerjet e energjisë elektrike në tri komuna gjatë ditës së sotme.

“Pas konferencës së pasdites kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në tri qendra të votimit: Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit. Menjëherë është njoftuar KEDS dhe energjia është rikthyer shumë shpejt. Mungesa ka zgjatur prej pesë deri në shtatë minuta”, tha ai.

Ai konfirmoi se procesi zgjedhor në tërësi vlerësohet si i qetë, i rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore.