Kur konsiderohet i konstituar Kuvendi?

Pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit do t’i hapet rruga presidentes, Vjosa Osmani që brenda tridhjetë ditëve të thirr seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, legjislatura e nëntë nuk konsiderohet e konstituar pa u zgjedhur edhe trupat e Kuvendit, përfshirë kryetarin, nënkryetarët dhe kryesinë. E një gjë e tillë, sipas njohësve ligjor, mund të vonohen pavarësisht thirrjes së seancës ku mund të betohen deputetët e zgjedhur.

Arsye, sipas tyre është kompozicioni politik dhe numrat të cilët janë në Kuvend. Të njëjtit deklarojnë se nuk presin që Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese e zgjedhjeve, të shkojë me nominim të kryetarit të Kuvendit pa e pasur të sigurt koalicionin qeverisës.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Eugen Cakolli, thotë për KosovaPress, se pret që javën e ardhshme të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, pas përfundimit të ankesave në Gjykatën Supreme.

Lëvizja Vetëvendosje të premten ka dorëzuar ankesë në Gjykatë Supreme, në lidhje me votat me postë të LDK-së, duke kërkuar anulimin e tyre dhe rivovotimin e këtij procesi. Kjo ankesë ditë më parë është rrëzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtreesa(PZAP). Në  gjykatë është pranuar edhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, kundër vendimit të PZAP A.nr.639/2025 dhe një tjetër nga kandidati për deputet i PDK-së, Petrit Hajdari.

Certifikimi i zgjedhjeve sipas Cakollit, është hapi formal pas së cilit fillojnë të rrjedhin afatet për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Megjithatë, sipas profesorit universitar, ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, pa u zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe kryesia nuk mund të konsiderohet i konstituar legjislatura e nëntë, përkundër betimit të deputetëve.

Sipas tij, pa ndodhur një gjë e tillë nuk mund të rrjedh afati 15 ditorë për formimin e qeverisë.

Për këtë shkak, hulumtuesi në KDI, Eugen Cakolli, thotë se nëse s’arrihet një  koalicion qeverisës ekziston rreziku i një krize të zgjatur politike, rrjedhimisht Kuvendi mund të mos arrijë të konstituohet dhe qeveria mos të formohet brenda afateve kushtetuese.

Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.