Glauk Konjufca, filozofi që e di peshën e fjalës. Ndryshe nga Dimal Basha, Albulena Haxhiu apo Çika e Jusuf Gërvallës, të cilëve fjalët e rënda u shpëtojnë si slogane boshe, Konjufca di se çdo fjalë bart në histori dhe përgjegjësi, prandaj mëkati i tij është më i rëndë
Baton Haxhiu
Glauk! Tradhtia është fjalë e madhe. Këtë fjalë zëshëm e përdore sot në tribunën e VV-së.
Tradhëti, është fjala që kombet e përdorin kur përshkruajnë momentin e fundit të mbijetesës së tyre. Është fjala që historitë e popujve e ruajnë për heronj të shitur, për mbretër që kanë dorëzuar çelësat e qyteteve dhe për ata që ia hapin dyert armikut natën.
Nuk është fjala që duhet përdorur për një Gjykatë Kushtetuese që bën punën e saj. Ironia është se, duke thënë këtë fjalë, nuk po e etiketoni gjykatën, por po e zhvendosni hijen e saj mbi veten dhe partinë që udhëhiqni, ti dhe Albini.
Glauk, si studiues i filozofisë, e di më mirë se kushdo se fjalët kanë peshë, se një fjalë nuk është vetëm tingull, por është koncept që bart histori dhe pasoja.
Fjala “tradhti” është një nga mëkatet e mëdha të gjuhës politike, dhe zakonisht i lihet atyre që nuk kuptojnë as peshën e saj, as vendin ku përdoret.
Fjala “tradhti” i shkon Dimal Bashës, Çikës së Jusuf Gërvallës apo Albulena Haxhiut, sepse ata e përdorin gjuhën si slogan, pa e ditur se çdo fjalë e rëndë i hap plagë institucioneve. Por kur këtë fjalë e përdor dikush që e ka studiuar filozofinë, ajo nuk është më injorancë, por është zgjedhje e vetëdijshme. Dhe ky është mëkat më i madh.
Sepse Kushtetuta e Kosovës nuk është një shpikje e Vetëvendosjes, as e LDK-së, as e asnjë partie të momentit. Ajo është trashëgimia e Pakos së Ahtisaarit, e menduar jo si një akt i pastër sovraniteti, por si një çelës stabiliteti.
Ahtisaari dhe shkruesit e Kushtetutës e dinin mirë se shumica shqiptare, e dalë nga lufta, mund të kishte tundimin të sillej me forcën e numrave.
Ata e dinte po aq mirë se Serbia do të kërkonte të ndërhynte përmes pakicës serbe. Për të shmangur të dyja skajet, krijoi një arkitekturë që i ngjan një parlamenti me dy dhoma, siç e thash një natë në “Presing” te Leo, një është shumica qeverisëse dhe dy është pakica serbe me çelës sigurie. Ky ishte kompromisi që i dha Kosovës pavarësinë e njohur ndërkombëtarisht.
Këto çelësa nuk u vendosën për t’ia dhënë Beogradit pushtetin mbi Kosovën, por për ta penguar Beogradin të gjente justifikim për të rikthyer duart këtu. Dhe është fat i madh që kemi një Kushtetutë të tillë, sepse kjo është mburoja që e bën Kosovën shtet multietnik në rendin juridik, jo vetëm shoqëri multietnike në rendin social.
Ky dallim është i madh sepse duhet të jemi të qartë me veten, nëse jemi shtet multietnik, dhe nëse po , atëherë Lista Serbe dhe gjykata kanë të drejtën e mbrojtjes së rolit të tyre. Nëse jemi shoqëri multietnike, atëherë ata janë pakicë e respektuar, por pa të drejtë bllokimi. Kushtetuta ka zgjedhur qartë modelin e parë.
Këtu qëndron edhe rreziku i dytë, kur pushteti i sotëm shpall fjalën “tradhti” si mallkim ndaj gjykatës dhe harrohet se kjo fjalë mund t’i kthehet vetë pushtetit. E kemi parë sa lehtë ndryshojnë aleancat, sa shpejt harrohen vizitat e djeshme dhe fjalët e thëna me nxitim.
Ato që dje ishin të lejueshme, sot shpallen të ndaluara. Dhe fjala “tradhti”, në këtë lojë të pasqyrave, nuk mbetet kurrë vetëm te tjetri sepse ajo kthehet si bumerang tek vetja. (Kujtoje sa poshtërsisht keni fol për miq në takim, ti dhe Albini, te Presidenti Ilir Meta atë kohë).
Glauk, ata që frikësohen nga serbët sot, harrojnë realitetin e thjeshtë se ata janë aq pak në numër, aq të parespektuar nga të gjithë, sa janë shndërruar më shumë në viktima sesa në kërcënim.
Janë një grup i vogël, kryesisht i moshuar, një komunitet që është në zhdukje natyrore si minoritet. Dhe nëse historia ka një dorë të ftohtë, biologjia po bën pikërisht atë që një pjesë e shoqërisë shqiptare nuk deshi kurrë ta bëjë vetë dhe biologjia pra po e tret një popullsi që vetë e futi veten në faj me heshtjen dhe bashkëfajësinë e viteve të nëntëdhjeta.
Prandaj, mos e bëni atë që nuk e keni dashur për vete. Mos e përsëritni padrejtësinë me të cilën jeni rritur dhe që e keni vuajtur si shumicë.
Sepse përgjegjësia për të shkuar drejt fashizmit të heshtur, ku një popull shumicë i mbyll sytë dhe lejon shtypjen e një pakice, është përgjegjësi që mund ta shkatërrojë vetë shtetin.
Nuk është popullore të thuhet kjo, por është e vërtetë dhe duhet ta thotë dikush sepse kush e humb sensin e drejtësisë, në emër të shumicës, rrezikon të humbasë vetë shtetin.
Në këtë arkitekturë të dyfishtë, KFOR-i është mburoja ndërkombëtare që ruan Kosovën fizikisht, ndërsa Kushtetuta është mburoja e brendshme që ruan serbët ligjërisht.
Njëra parandalon rikthimin e ushtrisë serbe, tjetra parandalon përjashtimin që do t’i jepte Serbisë justifikim për të ndërhyrë. Pa njërën, nuk bën as tjetra. Kjo është kontrata e mbijetesës sonë si shtet.
Prandaj, kur ju e quani tradhti shtetërore një vendim të Kushtetueses, në fakt rrezikoni të kryeni pikërisht atë që e quani tradhti sepse fjala juaj bën përmbysjen e rendit kushtetues nga brenda.
Sepse fjala tradhti në rendin juridik nuk është metaforë për konferenca shtypi. Është akuza më e rëndë që njeh ligji penal. Dhe e thënë ndaj një gjykate, ajo kthehet si bumerang dhe bie mbi ata që e përdorin, jo mbi ata që e dëgjojnë.
Nëse mendoni se Kushtetuta është e gabuar, atëherë ka një rrugë institucionale: ndryshoni Kushtetutën. Mblidhni votat, merrni mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, dhe shkruani një rend të ri.
Por mos ia ngjitni fjalën tradhti një institucioni që ekziston për të ruajtur stabilitetin e këtij vendi. Sepse, të themi të drejtën, fjala tradhti i shkon më shumë Vetëvendosjes me gjuhën dhe veprimet e saj kundër rendit kushtetues sesa vendimeve që merr gjykata.
Mund t’i bëni të gjitha këto. Mund të shpallni luftë Kushtetueses, mund të flisni për tradhti, mund ta ktheni Kushtetutën në peng të retorikës së ditës.
Por duhet të mbani përgjegjësi për pasojat. Sepse fjala që ia drejtoni sot gjykatës, nesër mund t’ju bjerë mbi kokë. Fjala tradhti.