Bashkëpunëtori i lartë i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Xhorxhtaunit, Charles Kupchan, ka deklaruar për portalin serb “kosovoonline” se rezultati më i rëndësishëm i Marrëveshjes së Uashingtonit ishte simbolika e saj, më shumë sesa pasojat praktike reale.
Ai gjithashtu thekson se Marrëveshja e Uashingtonit në masë të madhe kishte të bënte me marrëdhëniet tregtare, por se nëse politika nuk kuptohet siç duhet, tregtia dhe investimet nuk ndihmojnë, transmeton Paparaci.
Ai nënvizon se simbolika numër një e Marrëveshjes së Uashingtonit ishte fakti që SHBA-të ishin të gatshme të përfshiheshin në zgjidhjen e konfliktit të gjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Numër dy është se mund të arrihet përparim, se Beogradi dhe Prishtina në fakt mund të arrijnë marrëveshje për diçka, edhe nëse ajo është e natyrës ekonomike dhe jo për çështje më të gjera politike. Por problemi është se që nga atëherë nuk ka ndodhur asgjë në të vërtetë. Në fakt, do të thosha se procesi ka ecur prapa, pavarësisht marrëveshjes që Bashkimi Evropian e ka vënë në tryezë. As Beogradi dhe as Prishtina nuk kanë qenë në pozitë për të çuar përpara procesin e normalizimit”, thotë Kupchan.
Ai vë në dukje se Marrëveshja e Uashingtonit në masë të madhe kishte të bënte me marrëdhëniet tregtare, dhe se ai është dikush që nuk beson se tregtia në të vërtetë mund të bëjë ndryshim.
“Duhet të kuptoni siç duhet politikën, dhe pastaj integrimi ekonomik mund të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje. Por nëse nuk e kuptoni politikën siç duhet, tregtia dhe investimet nuk do të ndihmojnë. Dhe problemi është se politika ka qenë e gabuar nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti. Kosova, në një farë mënyre, ka ndjekur një politikë shumë nacionaliste. Kurti ka marrë disa vendime për targat e veturave, për kryetarët e komunave në veri të cilët nuk kanë bërë përparim drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që në shumë aspekte e ka dëmtuar rastin e Kosovës përpara Evropës dhe SHBA-së. Njerëzit kanë filluar të fajësojnë Prishtinën për problemin, ndërkohë që Beogradi është fajtori kryesor për zvarritje”, thotë Kupchan.
Nga perspektiva politike, shton ai, as Beogradi dhe as Prishtina nuk kanë qenë në pozitë për të përparuar me marrëveshjen.
“Dhe si pasojë e kësaj, mendoj se do të jetë e nevojshme një angazhim i ripërtërirë nga administrata e Trumpit që procesi të vihet në lëvizje”, thotë ai.
Duke pasur parasysh se Trumpi është i interesuar të jetë paqebërës dhe të arrijë marrëveshje, ai tani mund të angazhohet sërish.
“Trump dëshiron të jetë paqebërës. Ai dëshiron të jetë ai që arrin marrëveshje. Prioritetet e tij kryesore janë Gaza dhe Lindja e Mesme, si dhe Ukraina. Por ai gjithashtu ka mbledhur palë nga Afrika, ka mbledhur armenët dhe azerbajxhanasit, duke pretenduar se ka ndihmuar në përfundimin e konflikteve, konflikteve të shkurtra midis Indisë dhe Pakistanit, megjithëse indianët nuk janë shumë të kënaqur me këtë pretendim, dhe herë pas here ka përmendur Kosovën dhe Serbinë. Pra, duke pasur parasysh që Trump është i interesuar të jetë paqebërës dhe të arrijë marrëveshje, ai tani mund të angazhohet sërish, dhe mendoj se do të jetë i nevojshëm një presion i përbashkët nga SHBA dhe Bashkimi Evropian që palët në Beograd dhe Prishtinë të shtyhen të bëjnë kompromise dhe lëshime të vështira që janë të nevojshme për t’i shtyrë të dyja vendet jo vetëm drejt normalizimit ekonomik, por edhe drejt shpërblimit më të rëndësishëm – normalizimit politik”, thotë Kapçan.
Shumëçka, siç shton ai, varet nga fakti nëse Trumpi mendon se ka “hapësirë për të marrë frymë”, pasi ka shumë punë me Rusinë dhe Ukrainën, me Izraelin, Gazën, Lindjen e Mesme më gjerë dhe Iranin, të cilët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje të re bërthamore.
“Ai po merret me ngritjen e Kinës dhe, si pasojë e kësaj, Kosova dhe Serbia nuk arrijnë menjëherë në nivelin e vëmendjes presidenciale, por janë padyshim në radarët e Trumpit. Ai ndoshta e sheh Kosovën dhe Serbinë si një ‘frut që varet ulët’, një konflikt i pazgjidhur ku mund të bëjë përparim të ndjeshëm. Dhe për këtë arsye, ndoshta do t’i rikthehet Richard Grenellit ose anëtarëve të tjerë të ekipit të tij, si Steven Whitkoff, dhe do të shohë nëse mund të arrijë ndonjë përparim në Ballkan”, përfundon Charles Kupchan./Paparaci.com