Ka nisur sot zyrtarisht Kupa e Kombeve të Afrikës, e cila këtë herë zhvillohet në Marok. Në ndeshjen e parë hapëse të këtij kompeticioni, vendasit e Marokut fituan 2-0 ndaj Comoros.
Maroku e filloi vrullshëm takimin, duke pasur shansin e artë për të zhbllokuar shifrat që në minutën e 10-të, po Soufiane Rahimi gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, e fituar nga Brahim Diaz, pas një kontakti brenda në zonë me mbrojtësin kundërshtar. Goditja e Soufiane Rahimi pritet mjaft bukur nga portieri kundërshtar. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.
Sfida u zhbllokua në minutën e 55-të, ku Brahim Diaz shënoi golin e parë të këtij kompeticioni, pas asistit fantastik të Noussair Mazraoui. Goli që do të vuloste fitoren e Marokut do të vinte në minutën e 74-të, ku Ayoub El Kaabi, sulmuesi i Olympiacos, shënon një gol spektakolar me rroveshatë, kandidat absolut për golin më të bukur të këtij kompeticioni.
Maroku fiton 2-0 dhe e nis me këmbë të mbarë këtë kompeticion. Nesër luhet ndeshja tjetër e grupit A, Mali-Zambia.
The post Kupa e Kombeve të Afrikës: Maroku e nis me këmbë të mbarë dhe tregon forcën që në ndeshjen e parë appeared first on Telesport.













