Kultivim kanabisi në Australi? – Ish banori i BBVA shpallet në kërkim, gruaja e tij para drejtësisë

Elvis dhe Belina Pupa akuzohen në Australi për kultivimin e bimëve narkotike, raporton A2 CNN. Mediat australiane shkruajnë se Belina Pupa, 39 vjeç, ka dalë para gjykatës pasi akuzohet se ka mbjellë 43 bimë kanabisi në pronën e saj në Ascot Park. Ndërsa bashkëshorti i saj, aktori i humorit Elvis Pupa, raportohet se është arratisur nga vendi.

Sipas mediave australiane, Belina doli në gjyq të martën duke kërkuar që të mos i kufizohet lëvizja, pasi duhet të udhëtojë jashtë shtetit për çështje pune. Sipas saj, zonja Pupa ka biznese në Shqipëri dhe SHBA, përveç se në Australi.

“Zonja Pupa është punonjëse sociale, terapiste dhe ka klientë në të gjithë botën, kryesisht në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Ajo udhëton deri në 3 muaj çdo vit në Shqipëri. Prandaj kërkojmë që masa e sigurisë të mos kufizojë lëvizjet e saj, në mënyrë që të mund të udhëtojë në Shqipëri”, citohet të ketë thënë avokati i saj para gjykatës.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të publikuara nga mediat australiane, ata kanë mbjellë kanabis nga janari deri në prill të këtij viti. Të martën, prokurorët kundërshtuan kërkesën e zonjës Pupa për të lëvizur jashtë Australisë, për shkak të akuzave të rënda dhe faktit që bashkëshorti i saj është në arrati.

Vendimi përfundimtar për Belina Pupën do të merret javën tjetër.