Kukan pret që ideja e shkëmbimit të territoreve të aktualizohet përsëri

Ish-eurodeputeti evropian Eduard Kukan ka kritikuar shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, se nuk ka treguar lidership të mjaftueshëm në dialogun Beograd-Prishtinë, derisa ka shprehur dyshimin se një gjë të tillë mund ta bëjë edhe pasuesi i saj, Josep Borrel.

“Në momentin kur Kosova vendosi taksa ndaj Serbisë, Mogherini është dashur të udhëtojë atje dhe ‘të godasë tryezën’”, tha Kukan për Asociacionin për Politikë të Jashtme të Sllovakisë, raporton EWB.

Ai gjithashtu tha se nuk mendon që pasardhësi i Mogherinit, Josep Borrel, do të bëjë një punë më të mirë.

“E mbaj mend kur ishte kryetar i Parlamentit Evropian. Emërtimi i tij më befasoi, pasi spanjollët kanë politikanë shumë më dinamikë dhe më të ri,” tha Kukan.

Kukan gjithashtu është në favor të emërimit të një emisari special për zgjidhjen e dialogut.

I pyetur për të komentuar idenë e shkëmbimit të territoreve, Kukan tha se kjo nuk është thjesht një strategji në fushatë dhe se ai personalisht është kundër.

Ai tha se pret që “çështja e njohjes së Kosovës me shkëmbimin e territoreve me Serbinë do të aktualizohet përsëri”, por paralajmëroi se kjo mund ta destabilizojë Bosnjë dhe Hercegovinën.