Diagnostikimi me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) shpesh shoqërohet me fjalët inkurajuese: “Ti je i fortë, do t’ia dalësh”.
Por, sipas ekspertëve, këto fraza nuk mund të zëvendësojnë mbështetjen psikologjike profesionale.
Pacientët rrallë informohen se ekziston një psikolog klinik, që mund t’i ndihmojë në përballimin emocional të sëmundjes, përgatitjen për trajtim mjekësor, apo aftësinë për vendimmarrje.
Fatime Fazliu, psikologe klinike në Klinikën e Onkologjisë në QKUK tash e shtatë vjet, thotë se mbështetja psikologjike është e domosdoshme për pacientët.
“Ata kanë nevojë për trajtim të duhur. Me fjalët ‘ti je i fortë’ vetëm se u bëhet dëm”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Fazliut, mesatarja e seancave psikologjike në Klinikë arrin deri në tri në ditë, por shumica e pacientëve që vizitojnë Onkologjinë për herë të parë, nuk e dinë që ky shërbim ekziston.
“Kontaktin e parë pacienti e ka me mjekun onkolog dhe infermierët, dhe shumë pak raste referohen te psikologu klinik”, thotë ajo.
Praktika ndërkombëtare dhe mungesa e referimeve
Sipas praktikave botërore, pas mbledhjes së konzoliumit të mjekëve, çdo pacient duhet të referohet fillimisht për një seancë psikologjike dhe pastaj të vazhdojë trajtimin mjekësor.
Mosndjekja e këtyre seancave ul fuqinë emocionale të pacientëve për t’u përballur me sëmundjen, thotë Fazliu – psikologia e vetme në Onkologji.
“Traumat e vogla e ngarkojnë pacientin aq shumë saqë humb edhe shkathtësitë për t’u ballafaquar me një problem aq serioz si kanceri”, sipas saj.
Për të adresuar këtë problem, Fazliu thotë se është përgatitur edhe Procedura Standarde e Operimit – PSO, që detajon hapat që duhen ndjekur për referimin te psikologu.
“Kur kjo PSO të aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, qasja multidisiplinare që promovohet aq shumë, do të jetë shumë më e lehtë për t’u implementuar”, thotë psikologia.
Ministria e Shëndetësisë konfirmon për REL-in se ka pranuar këtë PSO, por thotë se organizimi i brendshëm në spitale nuk është kompetencë e saj.
Mjekët e Klinikës së Onkologjisë, duke folur në kushte anonimiteti, thonë se rastet referohen te psikologu pas vlerësimeve të gjendjes dhe bisedës me pacientin.
Jo të gjithë pacientët kanë nevojë për trajtim psikologjik, dhe për shkak të mungesës së psikologëve, zgjidhen vetëm ata me indikacione të qarta.
Sipas tyre, disa pacientë, gjithashtu, refuzojnë të paraqiten te psikologu ose kanë psikologë jashtë QKUK-së.
Aktualisht, pacientët që vizitojnë psikologen Fazliu, janë kryesisht ata që janë në procesin e seancave, e që kanë mësuar për këtë shërbim nga pacientët tjerë, thotë ajo.
Sipas saj, një nga arsyet përse mungojnë referimet, është informacioni i pamjaftueshëm i stafit mjekësor për rëndësinë e psikologut klinik.
“Stafi mjekësor, në përgjithësi, ka informacion të cekët sa i takon punës dhe rëndësisë së psikologut klinik. Sado që po trumbetojnë për qasje multidisiplinare – dhe po e them edhe prej përvojës dhe diskutimeve me kolegët psikologë klinikë – referimi mungon”, shton ajo.
N.N. nga Gjilani, e diagnostikuar pesë muaj më parë me kancer, e takoi rastësisht për herë të parë psikologen gjatë një vizite për terapi në QKUK.
“Asnjëherë, as këtu e as në Gjilan, asnjë mjek nuk më ka rekomanduar te ndonjë psikolog”, tha shkurtimisht për REL-in, por nuk deshi të identifikohej.
Mjeku i kirurgjisë torakale në QKUK, Bedri Osmani, tregon se shpesh përballet me pacientë që refuzojnë ndërhyrjet kirurgjikale, edhe kur ato janë jetike për shërim.
“Në raste të tilla, kur pacienti nuk e kupton plotësisht rëndësinë e operacionit ose ka frikë nga pasojat, unë rekomandoj që të mbajë disa seanca me psikologun klinik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, konsultimet psikologjike shpesh sjellin ndryshime të dukshme në qasjen e pacientëve.
Një prej tyre është Luljeta, një paciente nga Prishtina, e cila pas diagnostikimit me kancer të gjirit kishte refuzuar kategorikisht ndërhyrjen kirurgjikale.
Frika e saj ishte e lidhur me një humbje të mëparshme – bashkëshortin, që kishte vdekur pas një beteje me kancerin.
“Kur mora vesh për sëmundjen, nuk pranova ta bëja operacionin. Thosha: ‘Sa të jetoj, jetoj kështu; nëse bëj operacion, më shpërndahet…’. Por mjeku im, Bedri Osmani, më këshilloi të shkoj te psikologia që të më ndihmonte të qetësohem dhe të marr vendimin e duhur”, rrëfen ajo.
“Falë psikologes, sot jam shëndosh e mirë. Ajo më ka mbështetur deri në momentin që kam hyrë në sallën e operacionit”, thotë Luljeta me mirënjohje.
Psikologia Fazliu konfirmon se pas interesimit të REL-it për këtë temë, numri i referimeve të pacientëve tek ajo, ka nisur të rritet.
Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapi apo trajtime të tjera të nevojshme.
Numri i atyre që kontrollohen apo marrin shërbime aty, arrin deri në rreth 50.000 në vit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë – vetëm në vitin 2020, ai shkaktoi afro 10 milionë vdekje.
Vdekshmëria nga kanceri zvogëlohet kur rastet zbulohen dhe trajtohen herët. /REL








