Kufizimi deri në tre herë për kryetarin e Kuvendit ka bazë kushtetuese

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ta kufizuar deri në tre herë votimin e kandidatit të njëjtë për kryetar të Kuvendit bazohet në parimet dhe metodat e interpretimit kushtetues.

Gruda ka thënë se interpretimi i Kushtetutës nuk është thjesht lexim i tekstit, por mbushje e boshllëqeve që dokumenti nuk i parashikon në mënyrë eksplicite, duke iu përshtatur ndryshimeve shoqërore e politike.

Gruda përmendi doktrinën e “konstitucionalizmit të gjallë” dhe citime nga ish-kryetarët e Gjykatës Supreme të SHBA-së, John Marshall dhe Charles Evans Hughes, për të argumentuar se Kushtetuta është një dokument evolutiv dhe kuptimi i saj përcaktohet nga gjykatat.


Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përdorur metodën e analogjisë për të vendosur kufirin prej tre votimesh, duke u mbështetur në tre raundet e parashikuara nga Kushtetuta e Kosovës për zgjedhjen e presidentit dhe praktikat e kushtetutave të vendeve evropiane që kanë kufizime të ngjashme.

“Numri tre nuk është zgjedhur rastësisht, por mbi baza logjike dhe krahasimore të pranuara në doktrinën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vendimin e së premtes ka thënë se deputetët e Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe se konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Emri i një kandidati, sipas vendimit, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.