Kufiri administrativ i dy komunave të Mitrovicës, temë e (pa) mbyllur

Kufiri administrativ ndërmjet dy komunave të Mitrovicës ka qenë problem që ishte bërë temë diskutimi edhe në Bruksel. Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, dhe ish-protagonisti i këtyre bisedimeve, Agim Bahtiri, mendon se kjo çështje është e mbyllur, përkundër se nuk kishte marrëveshje. Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, vlerëson se kësaj dileme, zgjidhje përfundimtare mund t’i japë Erden Atiqi dhe Arian Tahiri.

Plani i finlandezit, Martti Ahtisari, pos që e solli Pavarësinë e Kosovës, e prodhoi edhe decentralizimin, dhe formimin e komunave të reja.

Mitrovica u nda në dy komuna, ndërsa për vite problem ishte bërë kufiri administrativ, ose më thjesht territoret të cilat do t’i takonin jugut dhe veriut.

Madje, kjo çështje ishte bërë temë e diskutimeve në Bruksel në atë kohë, ndërmjet Agim Bahtirit dhe Goran Rakiqit.

Këtë çështje, Kryesuesi aktual i Kuvendit në Mitrovicën Veriore thotë se e ka hapur para një viti.

Nexhat Ugljanin, mendon se Bordi i përbashkët i të dy komunave të Mitrovicës e ka mundësinë ta qartësojë këtë çështje.

“Kur për shembull është toka në pjesën e veriut, kurse ai si banor është i obliguar që dokumentet t’i nxjerrë në pjesën e jugut edhe është tjetër arsye edhe ka ashtu që janë të pjesës së jugut me pronë edhe kësajde i nxjerrin dokumentacionin në pjesën veriore. Janë probleme të ndryshme, janë fshatra si Vidmriq, është çështja e Suhodollit ku janë shumica nga komuniteti serb, për shembull është vija administrative ku sipas planit të Ahtisarit me u realizu edhe kurrë nuk janë marrë kryetarët sepse është nën kompetencat e kryetarëve, sepse kanë pasë bisedime edhe në Bruksel”, ka thënë Ugljanin.

Në Bordin e përbashkët, Komuna e Mitrovicës së Jugut përfaqësohet nga nënkryetari Arian Tahiri, ndërsa ajo e veriut nga Erden Atiq. Në krye me ministrin në detyrë të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, ky Bord është takuar hiç më larg se më 2 shtator.

TV Dukagjini, më 3 shtator ka tentuar të flasë me Atiqin dhe Tahirin, për t’i pyetur nëse e kanë hapur këtë çështje si temë diskutimit për ta kthyer në marrëveshje të nënshkruar, por kanë qenë të paqasshëm.

Njëjtë televizioni ka vepruar edhe me ministrin Krasniqi, dhe ministrinë e Pushtetit Lokal, tek të cilët ka adresuar edhe pyetje me shkrim.

Protagonisti i negociatave në Bruksel, Agim Bahtiri, thotë për TV Dukagjini se kufiri administrativ ka mbetur sipas planit të Ahtisarit, dhe vlerëson se kjo çështje është e mbyllur dhe sipas tij, nuk guxon të hapet nga askush.

“Me planin e Ahtisarit kufijtë administrativ të dy komunave Mitrovica e Veriut dhe Jugut, ka qenë lagja e doktorëve në pjesën e veriut, lagja e doktorëve, Suhodolli i poshtëm, i Epërmi, Gushavci, Vinarci i ulët, Vinarci i Epërm, dhe Vidimriqi. Dhe ata dëshirojshin që ta thejnë planin e Ahtisarit dhe mbi planin e Ahtisarit është edhe Kushtetuta, dhe ata dëshirojshin që të zbresin deri në Lumin Ibër për t’i marrë këto fshatra të cilat i ceka”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri thotë se në vitin 2015 kur diskutohej në Bruksel, pala serbe insistonte që tek territori i pjesës veriore me fshatin e Suhodollit të zbres deri tek pjesa e liqenit, për të realizuar ndërtime të larta, por sipas tij, ky plan dështoi.

Kurse plani i ish-diplomatit finlandez përcakton që Suhodolli të jetë pjesë e territorit të komunës jugore.

Kufijtë administrativë të të gjitha komunave janë paraparë në bazë të hartave të cilat ishin pjesë e Pakos së Ahtisarit, dhe përcaktimi i saj ishte problem që e ka përcjellë Mitrovicën që nga ajo kohë.

Me kthimin e kryetarit serb në krye të komunës së Mitrovicës Veriore, çështja që për shumë kë është e mbyllur, mund të mos konsiderohet si e tillë.