KUALIFIKUESET: Spanja bën detyrën, Gjermania del me kokën ulur nga Bratislava. Holanda e pëson në fund

Janë luajtur sot disa prej ndeshjeve kualiflikuese në zonën e Europës për Kupën e Botës 2026. Në Grupin E, u luajtën sot ndeshjet e para. Turqia fitoi në transfertë 2-3 ndaj Gjeorgjisë, Spanja fitoi në transfertë 0-3 ndaj Bullgarisë.

Spanjollët gjetën golin pas 5 minutash lojë. Pas një aksioni të gjatë, Zubimendi asiston bukur për Oyarzabal, i cili shmang mbrojtësit dhe dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 29-të, Spanja gjeti golin e dytë me Marc Cucurrella, pas krosimit të Yamal në krah dhe kthimit të topit mbapsht nga mbrojtësi bullgar, anësori që luan për Chelsea-n e dërgoi atë në rrjetë. Në minutën e 38-të, Mikel Merino shënoi me kokë golin e tretë, pas krosimit Lamine Yamal nga goditja e këndit. Pjesa e parë mbyllet 0-3 për Spanjën. Në pjesën e dytë nuk pati ndryshim të rezultatit. Spanja fiton 0-3.

Surpriza e mbrëmjes ka ardhur nga Bratislava, aty ku Sllovakia mundi 2-0 Gjermaninë, në ndeshjen e parë kualifikuese për grupin  A. Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, falë golit të David Hancko në minutën e 42-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të finalizuar me sukses. Në fillim të pjesës së dytë, Sllovakia dyfishoi shifrat me golin shumë të bukur nga David Strelec. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Irlanda e Veriut fitoi 1-3 në transfertë ndaj Luksemburg dhe mban aktualisht vendin e parë.

Belgjika fitoi në transfertë ndaj Liechtenstein me shifrat 0-6 me golat e Maxim De Cuyper 29′, Tielemans 46′, 70′ (p), Theate 60′, De Bruyne 62′ dhe Foana 90+1. Belgët renditen të tretët në grupin J pas Uellsit dhe Maqedonisë së Veriut.

Në Rotterdam, Holanda nuk shkoi dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj Polonisë. “Tulipanët” gjetën golin në minutën e 28-të me Denzel Dumfries, i cili shënoi me kokë pas krosimit nga këndi nga Memphis Depay. Polonia barazoi me Matty Cash 10 minuta para fundit, me një goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas një aksioni të gjatë. Rezultati final 1-1. Holanda, Polonia dhe Finlanda kryesojnë grupin me nga 7 pikë, por holandezët kanë një ndeshje më pak se dy rivalët.

The post KUALIFIKUESET: Spanja bën detyrën, Gjermania del me kokën ulur nga Bratislava. Holanda e pëson në fund appeared first on Telesport.