Për të mbrojtur interesat e saj, vendi duhet të zgjedhë partnerë besnikë dhe të avancojë integrimin në NATO.
Nga agresioni i vazhdueshëm rus në Ukrainë dhe ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, deri te debati për kontrollin e Grenlandës, bota është duke hyrë në një moment të ri gjeopolitik. Në këtë skenar, ku qëndrojnë shtetet e vogla si Kosova dhe si mund të sigurojnë vendin e tyre në hartën globale të tensioneve në rritje?
Jamie Shea, profesor i Strategjisë dhe Sigurisë në Universitetin e Exeterit, vlerëson se mjedisi aktual është jashtëzakonisht i pafavorshëm për Kosovën, veçanërisht duke marrë parasysh konkurrencën midis fuqive të mëdha në Ballkanin Perëndimor, ku përveç Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Rusisë dhe Kinës, në këtë mozaik aktorësh përfshihen edhe shtetet e Gjirit, Turqia, si dhe aktorë radikalë jo-shtetërorë.
Në këtë kontekst, ai vlerëson se një vend i izoluar dhe pa orientim të qartë rrezikon të rrëshqasë “në mes të zjarrit” të kësaj gare të interesave, ku aktorë të jashtëm përpiqen të shtrijnë ndikimin edhe në mesin e forcave të ndryshme politike brenda Kosovës.
“E tërhequr në drejtime të ndryshme, vendi do të përjetonte ngadalësim të rritjes ekonomike, do të ishte më e prirur ndaj korrupsionit, më e ndarë politikisht dhe më e ekspozuar ndaj rritjes së tensioneve sociale dhe etnike. Për shembull, mund të shihet ndikimi i ndërhyrjeve ruse dhe kineze në Serbi”, paralalajmëron Shea.
Por, sipas ish-zëdhënësit të NATO-s, prioritet kryesor për Kosovën është avancimi drejt NATO-s. E luftimi i korrupsionit, ndërtimi i institucioneve të forta qeverisëse dhe kapërcimi i polarizimit politik janë gjithashtu thelbësore. Një rëndësi të veçantë ka edhe zgjedhja e partnerëve të besueshëm, sipas Sheas, por assesi fajësimi i faktorëve të jashtëm për dobësitë e brendshme që mund të krijojnë telashe në të ardhmen.
“Kosova duhet të zgjedhë partnerë që kanë në zemër interesat e saj dhe që do t’i japin një vend në tryezë kur diskutohen çështjet euro-atlantike. Edhe pse anëtarësimi në NATO është një proces i gjatë dhe i vështirë, rezultati përfundimtar do t’i sjellë Kosovës më shumë përfitime sesa marrëveshjet e shpejta dhe transaksionale me ‘fuqitë e mëdha’ që veprojnë sipas interesave të tyre”, konsideron Shea për Albanian Post.
Sa i përket afrimit me NATO-n, ai sugjeron se Kosova duhet të ndjekë një qasje të dyfishtë. Në radhë të parë, ajo duhet të intensifikojë përpjekjet diplomatike për t’i bindur aleatët për arsyet pse anëtarësimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm, dhe në radhë të dytë, të thellojë angazhimin e përditshëm me NATO-n, si dhe me aleatët rajonalë që janë partnerë të afërt të Kosovës, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë.
“Kosova duhet të forcojë fushatën për t’i bindur aleatët rreth arsyeve pse duhet të bëhet anëtare e NATO-s dhe të rrisë mbështetjen politike për këtë objektiv. Kjo fushatë duhet të përqendrohet jo vetëm te aleatët e NATO-s që tashmë e mbështesin Kosovën, por edhe te ata që hezitojë dhe që refuzojnë ta njohin Kosovën”, argumenton Shea.
Në përmbyllje të këndvështrimit të tij për pozitën e Kosovës, ai nënvizon se testi për Kosovën do të jetë aftësia për të ruajtur durimin. Kosova, sipas tij, ka ende mbështetës të shumtë, të gatshëm ta ndihmojnë në rrugëtimin e saj drejt sigurisë dhe stabilitetit.










