Ku janë mijëra të punësuarit e Kurtit? Në Kosovë, apo në Gjermani?

Nëse në vitin 2020 numëroheshin 100 të papunë, ndërsa në vitin 2024 vetëm 50, pyetja më e arsyeshme nuk është thjesht sa u ul shifra, por çka e prodhoi këtë ulje: A u punësuan realisht këta 50, apo kemi të bëjmë me emigrim, dalje nga tregu i punës, ndryshime demografike ose forma të tjera të “zhdukjes” statistikore të papunësisë? Pikërisht këtu vihet në provë edhe vërtetësia e pretendimeve të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Po të krahasohen shifrat, realiteti rezulton vite dritë larg propagandës së ish-pushtetit.

Të dhënat e Trustit sugjerojnë rritje krejt minimale – larg pretendimeve të Kurtit – të punësimit formal. Numri i kontribuuesve aktivë rritet vetëm me disa për qind në vit, ndërkohë që sipas ASK-së papunësia paska “rënë” nga mbi 20% në 10.8%. Kjo do të thotë se shumica e atyre të papunëve që u “zhdukën” nga numrat e ASK-së nuk u punësuan kurrë: ata thjesht iu bashkuan valës së migrimit ose dolën krejt nga tregu i punës (u bënë jo-aktivë).

Ndërsa Kurti vazhdon të glorifikojë ‘arritje historike’, duke u thirrur pas statistikave të zhveshura nga konteksti për një normë papunësie prej 10.8% në mbyllje të vitit 2024, një analizë krahasimore e indikatorëve makroekonomikë nxjerr një realitet shumë më të trishtë.

Kjo narrativë maskon një simptomë alarmante strukturore: rënia e shifrës së papunësisë nuk reflekton domosdoshmërisht krijimin e vendeve të reja të punës, por tkurrjen drastike të fuqisë punëtore dhe deformimin e ekonomisë formale. Një analizë krahasimore e periudhës 2023–2024 na zbulon një diskrepancë të frikshme: ndërkohë që punësimi nominal ka pësuar rënie nga 425 mijë në 414 mijë, tkurrja paralele e fuqisë punëtore me mbi 12 mijë persona ka deformuar përqindjen finale.

Rrjedhimisht, ulja e normës së papunësisë nuk ka të bëjë më lëvizje pozitive të tregut, por është funksion i emëruesit demografik në zvogëlim. Krahasimi më të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti) e demanton kategorikisht pretendimin e rritjes; përkundrazi, jemi dëshmitarë të një iluzioni statistikor, shkaktari kryesor i të cilit mbetet migrimi masimi dhe zhdukja e fuqisë punëtore.

Ku janë punëtorët?

Thelbi i kësaj teme reduktohet në një pyetjen: Nëse metrikat e papunësisë sugjerojnë rënie drastike, ku është ndërlidhja me kontributet?

Sipas raporteve zyrtare të ASK-së, numri i të punësuarve në Kosovë llogaritet të jetë mbi 430,000 persona. Megjithatë, raportet vjetore të Trustit – sidomos trendet 2021–2023 – tregojnë një realitet shumë tjetër. Numri i llogarive aktive, pra njerëzve që realisht marrin një pagë të rregullt dhe paguajnë kontribute pensionale, sillet rreth 350,000.

Kjo na krijon një “vrimë të zezë” prej afro 80,000 deri 90,000 personash.

Kush janë këta njerëz?
Për ASK-në, ata janë “të punësuar”. Për ekonominë reale, ata janë pothuaj inekzistentë. Ata janë:

  • punëtorë në të zezë, pa kontrata, pa sigurime, pa asnjë të drejtë ligjore;
  • anëtarë të familjes që kanë punuar një orë në bujqësi gjatë javës së anketimit;
  • njerëz me punë të rastësishme, të papërsëritshme, pa asnjë lidhje me atë që quajmë punësim i qëndrueshëm.

T’i klasifikosh këta si triumf të punësimit nuk është statistikë; është përdredhje e qëllimshme e realitetit socio-ekonomik. Edhe nëse përfshijmë hipotezën e informalitetit, diskrepanca mbetet masive. Reduktimi i normës së papunësisë në 10.8% nuk ka të bëjë me performancë pozitive të tregut (punësimit), por, në fakt, pasojë e drejtpërdrejtë e tkurrjes së emëruesit.

Nëse emëruesi – fuqia punëtore – zvogëlohet, përqindja bie automatikisht, edhe kur realisht humben vende pune. Kjo është pikërisht ajo që po ndodh: me liberalizimin e vizave dhe valën e vazhdueshme të emigrimit, dhjetëra mijëra punëkërkues janë fshirë nga regjistrat e Kosovës. Statistikisht, kjo na krijon iluzionin e suksesit në zbutjen e papunësisë. Në realitet, kemi të bëjmë me dështim demografik.

Trusti e konfirmon këtë përmes rritjes së ngadaltë të kontribuuesve të rinj, që nuk përputhet kurrsesi me ritmin e pretenduar të rënies së papunësisë. Nëse ekonomia do të kishte absorbuar vërtet masën e të papunëve, të hyrat dhe numri i kontribuuesve në Trust do të duhej të kishin shpërthyer. Ato janë rritur – por gradualisht, në përqindje të njëshifrore, brenda normave natyrore të formalizimit, jo të ndonjë punësimi masiv.

Metodologjia e ASK-së që e zbukuron realitetin

ASK ndjek standardet ndërkombëtare të ILO-s, të cilat e konsiderojnë “të punësuar” këdo që punon qoftë edhe 1 orë për pagesë ose fitim (edhe në natyrë) gjatë javës së anketimit.

  • Nëse shet paketa në rrugë për dy ditë: i punësuar.
  • Nëse ndihmon babanë në arë pa pagesë: i punësuar.
  • Nëse punon kamerier pa kontratë dhe pa kontribuar në Trust: i punësuar.

Në një ekonomi me sektor të madh informal dhe me mijëra vetë që lëvizin ndërmjet papunësisë, punëve të rastit dhe emigrimit, një metodologji e tillë prodhon shifra estetikisht të bukura, por ekonomikisht mashtruese.

Kur shohim raportet e Trustit për vitet 2021 dhe 2022, baza e qëndrueshme e ekonomisë – kontribuuesit e rregullt – rritet me ritme modeste prej rreth 3–4% në vit, ndërkohë që në fjalimet politike shitet rënie drastike e papunësisë.

Çka do të thotë 10.8 përqindëshi?

Shifra prej 10.8% është teknikisht e saktë sipas formulave anketuese, por në thelb e pasaktë si tregues i mirëqenies shoqërore dhe ekonomike në Kosovë

Kjo shifër na fsheh dy të vërteta të hidhura:

  1. Kosova po eksporton papunësinë e saj drejt Gjermanisë, Zvicrës e vendeve të tjera, duke pastruar listat këtu, jo duke krijuar vende pune këtu.
  2. Një pjesë e madhe e atyre që mbeten “të punësuar” statistikisht, në fakt mbijetojnë në informalitet, pa kontrata, pa kontribute në Trust dhe pa të ardhme pensionale.