“Ky vit do të jetë vit i fillimit të ndërtimit të spitalit të Prishtinës”.
Kështu kishte deklaruar Izet Sadiku, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë në fillim të vitit të kaluar për televizionin publik.
Por, ndonëse parcela ka vite që i është ndarë, plani për ndërtimin e Spitalit të Kryeqytetit ka mbetur në letër në njërën prej institucioneve.
Kur televizioni ishte interesuar lidhur me mbarëvajtjen e procesit të ndërtimit të tij vitin që lamë pas, nga Drejtoria e Shëndetësisë në kryeqytet ishte deklaruar se plani ishte dërguar për miratim në Ministri të Punëve të Brendshme e edhe në atë të Shëndetësisë.
Por ndonëse kanë kaluar muaj të tërë, procesi mbetet në po të njëjtën fazë.
“Deri të formohet qeveria, nuk ka asgjë. S’kemi ende asnjë përgjigje nga MPB”, ka thënë Sadiku.
Televizioni është interesuar të marrë përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë, por kjo e fundit ka larguar përgjegjësinë nga vetja.
“Themelimi/ndërtimi i Spitalit të Prishtinës ka bazë ligjore në Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, për çështjet të tjera, luteni t’i drejtoheni Komunës së Prishtinës, pasi që MSh nuk ka qenë pjesë e këtij aktiviteti”, kanë thënë nga ministrja.
Ligji për Kryeqytetin i jep kompetencë komunës të ofrojë kujdesin shëndetësor dytësor dhe të drejtën për të themeluar spitalin e përgjithshëm të Kryeqytetit.
Megjithatë, leja për procedim më tutje të planit në praktikë mbetet në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pavarësisht interesimit, Ministria e Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit.
Në qershor të vitit 2022, ishte prezantuar plani i fizibilitetit për Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës nga Komuna e Prishtinës, madje kjo komunë ka caktuar edhe lokacionin dedikuar ndërtimit të objektit të Spitalit të Kryeqytetit.
Buxheti për të arrinte shifrën prej 1.3 milionë euro.