Kryeziu për ngërçin politik: Erdhi nga kokokëfortësia e Kurtit dhe paaftësia e partive ish-opozitare, për të marrë veprime politike!

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka folur në lidhje me ngërçin politik të ndodhur nga 9 shkurti e deri tani, kohë, kur priten të shpallen zgjedhjet e reja.

Ai tha se kokëfortësia e Kurtit dhe paaftësia e partive politike, që ishin në opozitë në atë kohë për të marrë veprime politike, sollën këtë situatë.

“Unë mendoj se në aspektin politik, mendoj se kokëfortësia e zotit Kurti, pa llogaritur në numrat dhe fuqinë politike që doli nga 9 shkurti, paaftësia e partive politike që ishin në opozitë në atë kohë për të marrë veprime politike dhe për të ardhur deri tek vendimet politike, na sollën në një situatë kur më tepër çështja e zgjidhjes ose kriza që u prodhu për këto nëntë muaj, më shumë dëshiruan t’a adresonin si çështje ligjore e kushtetuese dhe jo si çështje politike, për të cilën unë mendoj se ka qenë politike. Normalisht që ka patur veprime jo-kushtetuese dhe jo-ligjore të cilat janë adresu nga Gjykata Kushtetuese por burimi dhe baza e këtyre fillon nga kriza dhe nga ngërçi politik, paaftësia për të bashkëpunuar dhe paaftësia për të marrë përgjegjësi në adresimin e rezultateve edhe vullnetin qytetar që doli nga 9 shkurti”.

Por pse u dasht kaq shumë kohë për të arritur deri në këtë pikë?- Kështu u përgjigj, Kryeziu.

“Normalisht sepse zoti Kurti duke shfrytëzuar disa mekanizma që i pat si kryesues i seancave, bëri disa veprime jo-ligjore dhe jo-kushtetuese dhe opozita nuk kishte fuqi tjetër politike për të ndërmarrë veprime edhe ju drejtua, Gjykatës Kushtetuese. Koha që e mori, Gjykata Kushtetuese, për të interpretuar këto situata, normalisht që e mori këtë kohë edhe prodhoi këtë stagnim, nga çertifikimi gati 7 muaj po hyjmë në një krizë ku ne nuk mundemi me zgjedh Qeverinë”

“Kurti i bëri disa veprime jo-kushtetuese për të cilat u desht veprimi i opozitës për të parë interpretimin kushtetues dhe për të vazhduar më tutje. Edhe unë konsideroj se në këtë proces zgjedhor normalisht që përgjegjësia më e madhe bjen mbi liderin e subjektit të parë politik, i cili nuk arriti të krijojë një Qeveri për qytetarët e Kosovës. Edhe opozita politikisht u tregua e paaftë për të krijuar një Qeveri alternative pavarësisht që për katër vite ishin të organizuar dhe angazhuar për të rrëzuar këtë Qeveri. Po në momentin e fundit, pas 9 shkurtit, as ato nuk arritën të kanë një koordinim dhe një bashkërendim të aktiviteteve të tyre për t’ia dhënë vendit një Qeveri. Faji është i dyanshëm, por gjithsesi faji shkon bazuar në peshën politike të cilën e kanë subjektet politike” tha Kryeziu në Blic Interview.