Kryeziu për krizën në LDK: Pa ndryshim në lidership dhe qasje, çdo veprim tjetër mbetet sipërfaqësor

Ismet Kryeziu nga Instituti Kosovar për Demokraci duke folur për rënien zgjedhire të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit, tha se është çështje serioze në raport me legjitimiteti aktualë politik të drejtuesve të kësaj partie.

Kjo sepse, siç thotë Kryeziu, kanë kaluar gjashtë vite që kur LDK nuk ka sukses elektoral.,

Postimi i plotë:

Humbja e fundit zgjedhore e LDK-së, nuk duhet interpretuar si një zhvillim i izoluar, por si vazhdimësi e një trendi të rënjës dhe stagnimit që e ka karakterizuar këtë parti përgjatë disa cikleve zgjedhore. Ky realitet tregon për një problem strukturor dhe politik, jo thjesht për një dështim të momentit.

Gjashtë vite udhëheqje pa rezultate domethënëse zgjedhore përbëjnë një çështje serioze të legjitimitetit politik të lidershipit aktual. Duke u nisur nga standardet dhe vlerat e partive politike demokratike, e jo të formacioneve lideriste, në demokracitë funksionale partiake humbjet e përsëritura zakonisht prodhojnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike. Kjo përgjegjësi, në mungesë të mekanizmave të tjerë efektivë, materializohet përmes dorëheqjes së kryetarit dhe lidershipit udhëheqës.

Dorëheqja nuk duhet parë dhe as nuk është ndëshkim personal, por një mekanizëm demokratik dhe institucional për hapje, ristrukturim dhe ripozicionim politik. Në përfundim, humbja zgjedhore kërkon përgjegjësi konkrete dhe ndryshim përmbajtësor.

Pa ndryshim në lidership dhe në qasjen politike, çdo zhvillim tjetër rrezikon të mbetet formal dhe çdo reformë të jetë thjesht sipërfaqësore.