Kryeziu për ‘kabinetin e ri” të Kurtit: Burokraci e keqpërdorim i pushtetit të propozohen 20 ministra në një vend kaq të vogël

Ismet Kryeziu nga KDI, ka kritikuar Albin Kurtin për propozimin e qeverisë me 20 ministri, duke shtuar se është burokraci e keqpërdorim i pushtetit.

Ai ka thënë se ishte ‘hajgare’, edhe propozimi i Dimal Bashës si ministër, teksa ai para pak kohë është zgjedhur kryeparlamentar.

“Në vitin 2025, të propozohet një kabinet qeveritar me 20 ministra për një vend të vogël si Kosova, me aq pak banorë sa kemi, nuk është reformë, është burokraci dhe keqpërdorim i pushtetit. E, hajgarja më e madhe është kur kryetari i Kuvendit, i zgjedhur vetëm para dhjetë dite, propozohet për ministër!?”.

“Nëse kjo qasje e VV-së nuk tregon se edhe ky propozim i kabinetit është vazhdim i të njëjtës hajgare si me kryeparlamentarin, atëherë po tregon egon politike të pakufizuar, mungesën e respektit ndaj qytetarëve dhe joseriozitetin me të cilin ajo e trajton politikën dhe institucionet e shtetit. Ky është shembull klasik i keqpërdorimit të shumicës për pushtet, jo për shërbim publik e qeverisje më të mirë”, ka thënë Kryeziu. /Gazeta Express