,

Kryeziu: Osmani shkeli Kushtetutën në rastin e Kryeprokurorit, mund të shkarkohet

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu konsideron se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka “shkelur” Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me vendimin për mosdekretimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror i shtetit.

Sipas Kryeziut, Osmani ka shkelur nenin 84, paragrafin 2 të Kushtetutës, ku thuhet se presidenti garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë.

“Unë konsideroj që presidentja e shtetit ka bërë një shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi për shkak të mosveprimit në kohë. Mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit është shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, ka thënë Kryeziu për lajmi.net.

Kryeziu ka shtuar se pasojë e kësaj shkeljeje të Kushtetutës mund të jetë edhe shkarkimi i vet presidentes.

“Pasojat për presidenten munden me qenë të karakterit ligjor, nëse vendoset ndonjë padi ose kallëzim penal në prokuroritë publike. Po ashtu edhe të karakterit të shkarkimit nëse lënda dërgohet në Gjykatën Kushtetuese sepse e konsideroj se është një shkelje serioze, ndoshta ndër më seriozet”, ka shtuar tutje Kryeziu.

Ish-gjyqtari i Kushtetues tutje ka thënë se duhet të shpallet konkurs i ri për zgjedhjen e Kryeprokurorit.

“Duhet të hapet konkurs i ri në të cilën këta kandidatë që kanë qenë të propozuar nuk kanë më të drejtë të propozohen nga Këshilli Prokurorial”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e ka dekretuar për kryeprokuror të shtetit, Blerim Isufajn.

Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se këtë të martë e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror.

“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit Kushtetues të institucioneve më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fondamentale të Kushtetutës sonë, sikurse edhe prodhon padrejtësi konkrete dhe diskriminim të mos rri duarkryq. Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës lidhur me këtë vlerësim, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet më obligon që të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror”, tha Osmani.

“Sot e kam njoftuar Këshillin Prokurorial lidhur me vlerësimin e procedurave të ndjekura nga ky institucion në përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit. Pas një periudhe të gjatë të kontestimin të këtij procesi në gjykatat e Kosovës, para pak ditëve është Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktgjykimin lidhur me këtë rast duke e konsideruar procesin e kontestimit si të pasafatshëm. Është me rëndësi të sqarohet se asnjë gjykatë nuk i ka trajtuar ankesat nga aspekti përmbajtjesor. Përgjatë gjithë procesit jam përkujdesur maksimalisht që me veprimet e mia ta shmangë çfarëdo ndërhyrje në drejtësi, prandaj jam përmbajtura nga çfarëdo vendimmarrje që do të cenonte proceset para gjykatave apo afatet kohore që i kanë pasur në dispozicion kundërkanditatë”, tha Osmani.

Osmani thekson se përkundër zgjatjes së këtij procesi si pasojë e ankesave të shumta në gjykata, ka pasur funksionim të rregullt të institucionit të kryeprokurorit të shtetit përmes ushtruesit të detyrës.

“E dyta Kosova ka pasur ushtruesin e detyrës të kryeprokurorit të shtetit gjatë kësaj periudhe. Funksionimi kushtetues i institucioneve ka si parakusht të patejkalueshëm respektimin e procedurave kushtetues e ligjore të secilit institucion pa dallim. Konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore. Vlerësimi i institucionit që drejtoj lidhur me këtë çështje është bërë gjithnjë brenda mandatit tim kushtetues ky vlerësim ka evidentuar të gjitha shkeljet”, shtoi ajo.

Ajo tha se është kërcënuar nga disa zyrtarë të drejtësisë, duke i thënë se do t’i ngrisin aktakuzë e gjëra të tjera, vetëm që ta dekretojë Isufajn kryeprokuror.

“Shqetësuese është kur zyrtarët e drejtësisë mendojnë se mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratike ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit, prandaj vetingu është i nevojshëm. Ato janë presione të paligjshme që mendojnë që duke kërcënuar kreun e shtetit mund të marrin nënshkrime, e nuk do të marrin me presione të tilla vetëm me vlerësime të ligjit dhe kushtetutës, jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër, por jam e varur nga ligjet e Kushtetutës”, tha ajo.

Osmani, tutje tha se vendimi i saj për të mos e dekretuar Isufajn si kryeprokuror, është legjitim dhe se nuk ka asnjë arsye për ta dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo tha se nëse bëhet diçka e tillë bëhet për betejë politike dhe jo për parime.

Related Posts