Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ai ka kritikuar sjelljen e partive opozitare, duke thënë se ato nuk humben sepse VV-ja “u ndihmua” nga diaspora.
Sipas tij, opozita humbi sepse nuk mobilizoi struktura, nuk krijoi energji elektorale.
“Diaspora nuk e krijoi fitoren, thjesht e thelloi atë. Vetëvendosje ishte subjekti i parë edhe vetëm me votuesit rezidentë të Kosovës. Partitë opozitare nuk humbën sepse Vetëvendosje “u ndihmua” nga diaspora. Humbën sepse nuk bënë politikë. Nuk ndërtuan terren, nuk mobilizuan struktura, nuk krijuan energji elektorale. Në vend të fushatës reale, zgjodhën komoditetin e rrjeteve sociale, improvizime e ambalazh, intervista të përsëritura dhe sallone politike të mbyllura. Të shkëputura totalisht nga qytetarët. Një fushatë pa horizont fitoreje mbetet vetëm performancë simbolike, jo strategji politike”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka bërë e dije se krejt ndryshe ka vepruar Kurti.
“Albin Kurti, edhe një ditë para zgjedhjeve, ishte në terren, në takime direkte me qytetarë dhe me figura e familje me peshë shoqërore e kombëtare. Ndërkohë, liderët që predikonin “ndryshimin” besonin se disa intervista televizive dhe fushata digjitale, disa improvizime, do ta zëvendësonin kontaktin politik real me votuesit. Pa struktura, pa terren dhe pa votues, humbja ishte e pashmangshme. Në fund, rezultati zgjedhor nuk ishte surprizë. Ishte pasojë logjike. Dhe përgjegjësia apo pasojat nuk janë diaspora, por një opozitë që zgjodhi rehati në vend të betejës politike”, ka shkruar ai.










