Masa pezulluese e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit është një masë e përkohshme, e cila mund të zgjasë deri në tre muaj, në varësi të rrethanave të rastit.
Kështu ka deklaruar ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, duke shpjeguar natyrën dhe funksionin e kësaj mase në proceset kushtetuese.
Sipas tij, masa pezulluese shërben për t’i dhënë kohë Gjykatës që të shqyrtojë në mënyrë të plotë çështjen para se të marrë një vendim përfundimtar.
“Masa pezulluese është e përkohshme dhe mund të zgjasë deri në tre muaj, nëse gjykata nuk mund të marrë një vendim meritor”, theksoi Kryeziu në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.










