Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se Vetëvendosje përmes instrumentalizimit të Avni Dehari, me mënyrën se si po e udhëheqin seancën, po ua pamundësojnë deputetëve të drejtën themelore për të votuar.
“Z. Dehari, më vjen sinqerisht keq për mënyrën se si do të kujtoheni kur të përmendet kjo situatë politike: si instrument i bllokadës dhe i një veprimi kundërkushtetues. Vetëvendosje, përveç që po injoron interpretimin dhe frymën e Kushtetutës që kërkon konsensus dhe marrëveshje politike, po ndërmerr edhe veprime të drejtpërdrejta kundërkushtetuese. Duke e mbajtur peng dhe keqpërdorur udhëheqjen e seancës, në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën parlamentare, po i mohon Kuvendit funksionalitetin e tij bazik”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka thënë se në seancën konstituive, as Kushtetuta dhe as Rregullorja e Kuvendit – sipas nenit për rendin e ditës – nuk njohin votim për komision për votim të fshehtë, por vetëm votim për kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“Ky nuk është më ngërç politik, është bllokadë e vetëdijshme dhe shkelje e rendit kushtetues”, ka shkruar Kryeziu.