Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se takimet me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duhet të zhvillohen në ambientet e Kryeministrisë, pasi aty është vendi i punës së tij.
“Kushdo që kërkon takim me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, duhet të vijë në vendin ku punon kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës”, tha Kryeziu për RTKlive.
Ai shtoi se takime jashtë Kryeministrisë janë të mundshme, por vetëm me marrëveshje mes palëve.
“Gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mbanë takime pune edhe jashtë zyrës së tij – por për këtë duhet të ketë dakordim të palëve. Takime jashtë mjediseve të kryeministrisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën, edhe gjatë kohës sa ka qenë me mandat të plotë”, theksoi Kryeziu.
Gjatë ditës, në medie ka qarkulluar një letër ku thuhet se zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë njoftuar se nuk do të zhvillojnë takime brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës derisa vendi të ketë një ekzekutiv me mandat të plotë.
“Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së, për momentin, do të shmangin mbajtjen e takimeve me kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës derisa të formohet një Qeveri e plotë dhe e mandatuar. Ky vendim riafirmon angazhimin tonë themelor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional. Kjo letër gjithashtu synon të shmangë çdo pasiguri ose keqkuptim të ardhshëm, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë”, thuhet në letrën e publikuar nga Klan Kosova, që mban nënshkrimin e Aivo Orav.