Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka reaguar ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke thënë se me reagimin e sotëm, AGK-ja po dëshmon se për të akuzuar Qeverinë është në gjendje të deformojë ligjin dhe të keqinformojë publikun, transmeton KosovaPost.
Në reagimin e tij, Kryeziu thekson se RTK-ja është institucion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, i cili ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sigurimin e financimit adekuat për këtë medium publik.
Sipas tij, mungesa e konstituimit të Kuvendit, për shkak të mungesës së votave nga partitë opozitare, ka pamundësuar marrjen e vendimeve të nevojshme për alokimin e mjeteve financiare për RTK-në.
“Për të transferuar në llogari bankare mjetet që janë të ndara për RTK-në, siç po bën thirrje AGK, duhet vendim nga Komisioni Parlamentar për Buxhet i Kuvendit, siç parasheh neni 11, paragrafi 11 i Ligjit për Ndarjet Buxhetore. Pa një vendim të këtij komisioni, nuk është i mundur transferimi i mjeteve”, thuhet në reagim.
Andaj, sipas tij, “është absurde që zgjidhja për situatën në RTK të kërkohet përmes rrugëve dhe mënyrave joligjore, e edhe më shumë absurde është që kjo mënyrë e të vepruarit t’i kërkohet Qeverisë”.
The post Kryeziu: Është absurde të kërkohet zgjidhje joligjore për RTK-në appeared first on Kosovapost.net.