Kuvendi i Kosovës sot i vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Në seancën e së martës, Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Po të njëjtën ditë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe një nga pakicat joserbe.
Procesi u bllokua te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.
Kryetari Basha ka konsideruar se emri i tij është shfrytëzuar, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë se një person nuk mund të kandidohet më shumë se tre herë. Lista Serbe ka insistuar se vendimi vlen për pozitën e kryetarit dhe jo për nënkryetarët.
Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme.
Shorti i ra dy herë deputetes Verica Qeraniq, e cila në të dyja herat nuk mori asnjë votë për, 55 kundër dhe 21 abstenime.
As deputeti i radhës, Stefan Kovaçeviq, të cilit i ra shorti për t’u votuar nuk mori votat e nevojshme për nënkryetar, pasi që nuk mori asnjë votë për, 48 kundër dhe 19 abstenime.
Votat e nevojshme për nënkryetar nuk mori as deputeti Nenad Rashiq, emri i të cilit u zgjodh me short. Për deputetin Rashiq, 55 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 17 abstenuan. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.
Seanca konstituive nisi më 15 prill, dhe deri më tani janë mbajtur 58 vazhdime të saj.