Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ashpër ndaj fushatës së profileve të rreme në rrjete sociale, të cilat, sipas tij, janë aktivizuar me qëllim të mjegullimit të kandidaturës së tij dhe dëmtimit të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë.
“Profilet e rreme kanë filluar punën, po rizgjohen,” ka shkruar Lladrovci. Ai thekson se në zgjedhjet e kaluara keqbërësit kishin përdorur së paku 18 profile të rreme, ndërsa tani, sipas tij, janë krijuar po aq profile e portale me qëllime të njëjta manipulimi.
Lladrovci nuk i kursen fjalët për atë që e cilëson si përpjekje për ta zbehur fuqinë e PDK-së në Drenas:
“Asgjë e re nga metodat e zgjedhjeve të kaluara – mjegull ndaj kandidaturës time, mjegull ndaj PDK-së.”
Duke ironizuar ata që pretendojnë të kenë shpikur emra të rinj politikë me akronime të ngjashme, Lladrovci thekson:
“Megjithëse jemi kampion, bedelat e paskan shpikur emrin duke prodhuar shkurtesën PDK. Iniciativat qytetare janë të lira dhe nuk marrin leje nga unë.”
Ai përmbyll mesazhin me një deklaratë të prerë që nuk lë vend për interpretime:
“E ritheksoj: PDK, dje, sot, nesër, pikë. Uniteti në degën e PDK-së në Drenas është më i fortë se kurrë. Nuk ka bir nane që më largon nga PDK!”