Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, reagon ndaj menaxhmentit- kërkon takim urgjent për respektimin e të drejtave të punëtorëve

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka reaguar publikisht përmes një postimi në Facebook, duke shprehur shqetësimin e tij dhe të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës lidhur me neglizhimin e kërkesave të tyre nga menaxhmenti, raporton Demokracia.com.

Sipas Llumnicës, sindikata ka kërkuar disa herë takim me menaxhmentin e KEK-ut për të diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me respektimin e të drejtave të punës në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Por, siç thotë ai, kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje.

“Për shkak të ngarkesës së madhe të punës, menaxhmenti nuk ka arritur të përgjigjet dhe të takohet me ne në kohë të arsyeshme”, ka shkruar Llumnica, duke theksuar se një sjellje e tillë po krijon pakënaqësi tek punëtorët.

Ai ka paralajmëruar se nëse brenda një afati të shkurtër nuk realizohet një takim i përshtatshëm, Sindikata e Re do të detyrohet të ndërmarrë hapat e paraparë me statutin e saj, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

“Në bashkëpunim me anëtarët tanë, do të ndërmarrim masat e nevojshme për të garantuar respektimin e ligjit të punës dhe të drejtave tona”, ka deklaruar Llumnica.

Ai u ka bërë thirrje menaxhmentit dhe Bordit të KEK-ut që të gjejnë kohë për dialog, në mënyrë që të sigurohet një ambient i shëndetshëm pune dhe bashkëpunim korrekt. /Demokracia.com/