Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: Pensioni duhet të jetë afër 400 euro

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, thotë se Qeveria e Kosovës po i privon nga Ligji i Skemave Pensionale.

Derisa, shton se shuma prej 100 euro nuk është e mjaftueshme.

“Ajo që nuk janë të mjaftueshme nuk do koment, por çka është më tragjike është që Qeveria nuk po i përmbush obligimet e veta në bazë të nenit 13 dhe 14 të Ligjit të Skemave Pensionale dhe do të thotë që diçka që na lejohet me ligj po na privon nga ajo e drejtë, që do të thotë e hanë atë që neve na takon do të thotë atë që na takon ata nuk po na japin, po na privojnë nga e drejta jonë që e kem të garantuar me ligj”, ka deklaruar Gashi për Front Online.

Thotë se pensioni duhet të jetë afër 400 eurove.

“Është e garantuar që Qeveria çdo fund vit e ka obligim me bë vlerësimin e inflacionit, dhe në bazë të inflacionit që ka ndodhë duhet me bë edhe rritjen e pensioneve. Qeveria nuk e ka bë atë vlerësim kurrë dhe nuk na ka raportua kurrë dhe nuk na janë rrit pensionet fare. Realisht pensioni mesatar tash do të duhej me qenë afër 400 euro”, është shprehur ai.

Gashi, pohon se nga Qeveria po trajtohen në mënyrën më përbuzëse.

“Hera e fundit ka qenë në vitin 2018, dhe jemi në vitin e pestë kur nuk ka pas ngritje. Kemi bë kërkesë, nuk kanë ndërmarrë asgjë, nuk merren me neve fare dhe po trajtohemi në mënyrën më fyese, me përbuzëse të mundshme”, thotë ndër të tjera Gashi.

Related Posts