Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është përfshirë në një rast të konfliktit të interesit, sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Ai ka nënshkruar një kontratë bashkëfinancimi prej afro 175 mijë eurosh me kompaninë “Sunny Hill”, të drejtuar nga një ish-klient i tij, me të cilin kishte lidhje biznesore para se të merrte postin e kryetarit, shkruan Demokracia.com.
Në një vendim zyrtar të datës 8 maj 2024, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka përfunduar se Përparim Rama ka vepruar në kundërshtim me nenin 3, 6, 9 dhe 17 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë prej 174,760 eurosh me kompaninë “Sunny Hill Sh.P.K.” më 24 korrik 2023. Kontrata kishte për qëllim mbështetjen financiare të festivalit muzikor “Sunny Hill”.
Përparim Rama përkushtohet për ‘dostin’ e Londrës: 174 mijë euro për Sunny Hill Festival
Sipas Agjencisë, personi që përfaqësonte kompaninë, D.L., kishte qenë klient i drejtpërdrejtë i Ramës përmes kompanisë së tij “4M Group” në Londër. Në vendim thuhet se:
“Zyrtari i lartë publik Përparim Rama përmes kompanisë ‘4M Group’ ka nënshkruar kontratë më 05.11.2020 për ofrim të shërbimeve të dizajnit për objektin banesor në pronësi të D.L. në Mbretërinë e Bashkuar”.
Agjencia thekson se marrëdhënia e kontraktimit kishte përfunduar në maj të vitit 2022, dhe se pagesa e fundit nga klienti është bërë më 27 maj 2022, vetëm pak muaj përpara nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Komunës.
“Me datën 27.05.2022 është bërë pagesa e fundit për projektin në fjalë. Lidhja e kontratës dhe raportet e pagesave e faktojnë ekzistimin e marrëdhënies së drejtpërdrejtë ndërmjet zyrtarit të lartë publik dhe subjektit përfitues,” thuhet në vendim.
Në përputhje me nenin 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, zyrtarit publik i ndalohet marrja e vendimeve për një subjekt me të cilin ka pasur lidhje kontraktuale në pesë vitet e fundit, me përjashtime shumë të kufizuara që nuk aplikohen në këtë rast.
“Zyrtari i lartë publik ka vepruar në kundërshtim me parimet e integritetit, përgjegjësisë dhe shmangies së konfliktit të interesit, duke marrë vendim në favor të një subjekti me të cilin ka pasur lidhje të mëhershme biznesore”.
Kontrata e bashkëfinancimit, e nënshkruar me negocim pa shpallje publike, është firmosur në anën e Komunës nga Përparim Rama, ndërsa në anën e kompanisë përfituese nga Alban Kastrati. Rasti kishte nisur si rezultat i një denoncimi të brendshëm, ku pretendohej se Rama kishte mbështetur një biznes të lidhur me një familje me të cilën kishte marrëdhënie paraprake jo vetëm profesionale, por edhe miqësore.
Agjencia ka zhvilluar takim personal me Ramën, i cili, sipas dokumentit, nuk ka mohuar marrëdhënien kontraktuale, por ka theksuar se nuk ekziston konflikt interesi, pasi festivali është ngjarje unike dhe pronë intelektuale e “Sunny Hill”, ndaj nuk ka mundur të ketë konkurrencë në këtë rast.
“Në sqarimin e dhënë nga zyrtari i lartë publik theksohet se kompania ‘Sunny Hill Sh.P.K.’ është bartëse e të drejtave të autorit për festivalin, ndaj bashkëpunimi me të ishte i domosdoshëm për organizimin e aktivitetit kulturor”.
Megjithatë, Agjencia ka refuzuar këtë arsyetim, duke përfunduar se lidhja paraprake kontraktuale përbën konflikt të pastër interesi, pavarësisht natyrës së aktivitetit që është mbështetur.
“Në këtë rast ekziston një interes privat që bie ndesh me interesin publik, dhe ndikimi i zyrtarit të lartë ka qenë i drejtpërdrejtë në favor të subjektit me të cilin ka pasur marrëdhënie të dokumentuar kontraktuale”.
Si rezultat, Agjencia ka proceduar më tej me inicimin e kundërvajtjes pranë gjykatës kompetente për shkeljen e ligjit nga ana e Përparim Ramës. /Demokracia.com/