Kryetari i Preshevës: Kurti i ka dëmtuar dhe përçarë shqiptarët e Luginës me marrëveshjen e Ohrit

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se Qeveria Kurti i ka lënë shqiptarët e Luginës jashtë dialogut me marrëveshjen e Ohrit.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë që në takimin me ambasadorin amerikan, Christofer Hill përveç kësaj teme diskutoi edhe për pasivizimin e shqiptarëve.

“Kërkesën që ne e kemi artikuluar qysh herët që ndërlidhet me pranimin e Kurtit të marrëveshjes së Ohrit e cila ka vendos elemente kryesore në dialogun dhe i cili e ka bërë qartazi se ne nuk jemi në ato elemente dhe jemi jashtë dialogut, neve na ka shtyer Ambasada Amerikane që të kemi një bashkëpunim më të thellë në lidhje me kërkesat tona që fillojnë me stopimin e pasivizimit dhe aktivizimin të atyre shqiptarëve që janë pasivizuar në një kohë afatmesme dhe afatgjatë dhe vazhdon drejtë asaj që me na i dhënë të drejtat tona elementare dhe mos me ndje veten si qytetarë të klasës së dytë”, u shpreh ai.

Arifi: Asociacionin për shqiptarët e Luginës është dashur ta kërkoj Kurti

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi u pyet nëse kanë kërkuar nga ambasadori Hill edhe Asociacionin, ashtu siç po kërkohet për serbët e Kosovës.

Ai thotë se nuk kanë legjitimitet moral e as politik për ta bërë një gjë të tillë.

Sipas tij, kjo kërkesë është dashur të bëhej nga ana e Qeverisë Kurti.

“Ne nuk jemi ata që mundemi me i kërku ambasadorit Asociacioni sepse këtë është dashur ta kërkojë Qeveria Kurti në dialog gjë të cilën nuk e ka bërë kurrë asnjëherë. Përkundrazi Kurti ka dëmtuar edhe i ka tradhtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës me marrëveshjen e Ohrit që i ka lënë jashtë elementeve kryesore të dialogut shqiptar të Luginës së Preshevës. Në bazë të asaj ne nuk kemi legjitimitet as polik e as moral për të ia kërkuar një gjë të tillë ambasadës amerikane”, u shpreh ai për Front Online.

Arifi për Kurtin: Për me bashkëpunu me të duhet t’i nënshtrohemi, kërkon të jemi duarputhës

Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës për Front Online thotë se Qeveria e Kosovës i ka përçarë shqiptarët atje, e që qeveritë e kaluara nuk e kanë bërë këtë.

“Qeveritë e mëhershme nuk na kanë dëmtuar e nuk na kanë përçarë, nuk kanë marr vendim që ne mos me qenë brenda dialogut, kurse Qeveria Kurti edhe ka marr vendim që mos me qenë brenda në dialog por edhe na kanë përqarë brenda në vazhdimësi”, ka thënë ai.

Ai madje thotë se bashkëpunim me Kurtin nuk kanë.

Arifi thotë se për të bashkëpunuar me Kurtin duhet të jemi duarputhës.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi bashkëpunim me Kurtin edhe pse ne ia kemi kërkuar. Kurti nuk lyp bashkëpunim por lyp që me qenë duarputhës, unë nuk kam mundur me qenë, ju po e shihni që as Edi Rama nuk është, po e shihni Ali Ahmeti nuk është, por duhet të shihni që askush nuk hyn nën kushtet e bashkëpunimit të Kurtit siç ai e mendon bashkëpunimin, që në fakt ai nuk është bashkëpunim, ai është nënshtrim çka kërkon ai”, u shpreh ai.