Kryetari i PAI-së, bashkë me të birin, dyshohet se kanë sulmuar një djalë në oborrin e xhamisë së Lipjanit

Kryetari Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Hetem Arifi, dyshohet se ka sulmuar fizikisht një djalë në Lipjan.

Rastin në IndeksOnline e ka raportuar babai i viktimës, Bajram Gashi.

Gashi thotë se Arifi, bashkë me të birin, ia sulmuan djalin A.Gashi, në oborrin e xhamisë së Lipjanit.

Sipas Gashit, kryetari i PAI-së, Hetem Arifi, ia sulmoi djalin për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kanë pasur jo shumë kohë me parë, me babain e viktimës.

Gashi kishte arritur të siguronte disa dëshmi që provojnë se Arifi kishte tentuar të manipulojë procesin zgjedhor në komunitet në Diasporë, rast i cili u denoncua javën e kaluar nga PDAK-LPB.

Kjo edhe dyshohet të jetë arsyeja përse Arifi dhe djali i tij sulmuan viktimën A.Gashi.

Ndaj Gashit, ky nuk është sulmi i parë që bëhet nga i dyshuari Arifi, pasi disa ditë më parë, ai u sulmua edhe në oborrin e shtëpisë nga të njëjtit persona.

Incidenti i sotëm është raportuar edhe në polici nga viktima, sakaq Bajram Gashi deklaron për IndeksOnline se djali i tij nuk ndjehet i sigurtë tash e sa ditë, pikërisht për shkak të kërcënimeve të disa hershme nga kryetari i PAI-së.