Kryetari i OEK-ut, Rafuna: Nuk kemi të bëjmë asgjë me politikën

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka reaguar ndaj deklaratave që sugjerojnë një prapavijë politike pas protestës së bizneseve kundër daljes në tregun e lirë të energjisë.

Rafuna theksoi se protesta është tërësisht e organizuar nga vetë bizneset dhe Oda Ekonomike, pa përfshirje apo koordinim me asnjë subjekt politik.

”Asnjë parti politike nuk e kemi kontaktu për me pas mbështetje. Asnjë parti nuk është njoftuar për protestën e sotme nga ne. Nuk kemi të bëjmë asgjë me politikën, jemi shtëpi e biznesit, nuk është e drejtë të thuhet se po politizohet”, tha Rafuna.

Ai ka bërë të ditur se një analizë e brendshme me mbi 1,300 kompani anëtare ka nxjerrë rezultate alarmante për të ardhmen e sektorit privat në vend.

Sipas tij, gati gjysma e bizneseve janë në prag të reduktimit të prodhimit dhe largimit të punëtorëve, si pasojë e hyrjes së papërgatitur në tregun e lirë të energjisë.

”Sipas një analize të brendshme që e kemi bërë me biznese, ka dalë që 46.8% të këtyre 1 mijë e 300 kompanive kanë deklaruar se ne kemi me ardh në situatë me reduktu prodhimin me reduktu numrin e punëtorëve”, tha Rafuna, për RTV21.

Ai tutje ka shtuar se ”Nuk është bërë një plan i mirë i tranzicionit”.

Rafuna i ka reaguar ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila sot tha se Oda Ekonomike po u bën presion disa bizneseve që të mos mbajnë takime, por të protestojnë.

”Oda ekonomike e Kosovës është institucioni më i vjetër i Kosovës i themeluar me ligj. I ka 18 mijë anëtarë dhe oda nuk iu bën presion se ata janë struktura e odës. Asnjë biznesi nuk i është kërkuar mos me shku në atë takim, se ata i selektojnë cilat biznese duhet me qenë aty”, tha Rafuna.