Kryetari i Odës Ekonomike: ZRRE-ja mund të keqinterpretojë ose kamuflojë vendimin e Supremes, po presim versionin zyrtar

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë vendim për të zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, duke votuar pro shfuqizimit të dy neneve të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut.

Ky veprim vjen pas vendimit të Supremes, e cila kishte konstatuar se dispozitat e kontestuara krijonin pabarazi dhe pasiguri juridike për konsumatorët, veçanërisht për bizneset.

Në lidhje me këtë vendim, për Front Online kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se duhet pritur për të parë vendimin zyrtar, pasi sipas tij ZRRE-ja mund të keqinterpretojë apo kamuflojë vendimin e Gjykatës Supreme.

“Së pari të presim çfarë vendimi se ata dinë me keqinterpretu edhe me kamuflu, ne shpresojmë që ZRRE-ja ka me zbatu ashtu si kërkon aktgjykimi i Gjykatës Supreme”, tha ai për Front Online.

Ai deklaroi se Gjykata Supreme ka thënë se duhet krijuar një bazë e re ligjore dhe konkurrencë reale, para se bizneset të dalin në tregun e lirë të energjisë.

“Gjykata Supreme në aktgjykim ka thënë që duhet me u kriju baza e re ligjore, duhet me u kriju konkurrenca dhe atëherë me u nxjerr në tregun e lirë bizneset”, tha Rafuna./Front Online