Korporata Energjetike e Kosovës e ka denoncuar Kryetarin e Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi se përmes deklaratave publike dhe paralajmërimeve për protesta po dëshiron të punësojë njerëz në këtë kompani.
Madje, KEK ka akuzuar Shefin e Obiliqit se krejt këtë po dëshiron ta bëjë pa u respektuar procedurat ligjore të konkursit.
“Si rrjedhojë ju bëjmë me dije se, Menaxhmenti i Korporatës Energjike të Kosovës nuk i nënshtrohet dhe nuk lëkundet nga asnjë presion i grupeve të caktuara të interesit apo qofshin ato edhe grupe politike. Në këtë drejtim, janë të pa pranueshme deklaratat dhe paralajmërimet për protesta me qëllim të ushtrimit të presionit për të punësuar grupe njerëzish pa respektuar procedurat e konkursit e duke bërë shkelje ligjore”, thuhet në një deklaratë të KEK’ut lëshuar pas publikimit të një reagimi të Xhafer Gashit se KEK po shkel Ligjin duke mos i punësuar banorët e Obiliqit.
Express ka publikuar sot një deklaratë të Kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili e ka denoncuar Korporatën Energjetike të Kosovës se nuk po i punëson banorët që jetojnë në afërsi ku prodhohet rryma për tërë Kosovën.
Ai ka thënë se Ligji për Obiliqin dhe një vendimi i Ramush Haradinajt u ka dhënë përparësi banorëve të Obiliqit që të punësohen në KEK nëse janë të barabartë me të tjerët.
“Nuk e dijmë deri kur duhet duruar këto padrejtësi, kur përveç që KEK-u nuk respekton Ligjin dhe Vendimin, e nuk pranon në punësim, në kushtet e barabarta me prioritet qytetarët e Obiliqit, të njejtit po atë ditë të listes së publikimit me punëtorët e pranuar, hap konkurs të rregullt prap!”, ka thënë Gashi.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të ankohen nëse nuk janë pranuar në punë.
“Iu ftoi të gjithë ju që keni aplikuar e ju është shkelur e drejta juaj në këto konkurse të paraqitni ankesat e juaja në adresat e duhura te organet kompetente:”, ka shtuar ai.
Për këtë arsye, ai sot ka vendosur të mbajë një takim me banorët e Hadës dhe Shipitullës në sallën e Kuvendit Komunal në orën 17.
Sidoqoftë, KEK në reagim ka sqaruar se e ka njoftuar Qeverinë e Kosovës për nevojat kadrovike për dy vitet e ardhshme. Ka thënë se nëse Ekzekutivi vendos t’i punësojë këta punëtorë atëherë ata s’janë kundër aksionarit të tyre.
“Sa i përket punësimit te banoreve te zonave Hade dhe Shipitull, numrit prej 150 sa flitet qe kanë kërkua punësim, KEK-u e ka njoftuar qeverinë e Kosovës për profilet e vendeve te lira te punës për dy vitet e ardhshme. Dhe nëse ka një vendim qeverie për punësimin e tyre në formën se si po kërkohet atëherë natyrisht se KEK-u është i detyruar ta respekton atë vendim sepse Qeveria është aksionar i KEK-ut.Çdo formë tjetër e presionit apo veprime të tjera nga kushdo qofshin nëse e rrezikojnë sigurinë e punës në KEK apo tentojnë të ndërpresin procesin e punës me protesta dhe veprime të tjera do të ballafaqohen me organet e drejtësisë”, thuhet më tej në deklaratë.
“Te gjitha ata banore te Obiliqit qe kane plotësuar kriteret e konkursit dhe kane kaluar me sukses testet apo edhe kane qene te barabartë me ndonjë kandidat tjetër e kane fituar një vend pune. Sipas informatave të departamentit të Burimeve Njerëzore, janë afër 20 persona qe janë punësuar nga zona e Obiliqit. Të gjithë këta kanë plotësuar kriteret dhe kanë qenë kandidatë qe kanë kaluar me sukses testet”, thuhet më tej në reagimin e KEK’ut