Gramos Hashani është emëruar ushtrues i detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pas lirimit nga detyra të Bekim Gërgurit nga Bordi i KEK-ut, shkruan Demokracia.com.
Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, Hashani ka mbajtur më parë pozitën e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit (ZKFTH) në KEK, ndërsa në këtë pozitë tash është emëruar Gëzim Paci, i cili deri tani ka shërbyer si Menaxher i Pasurisë në Divizionin e Financave.
Gëzim Paci figuron gjithashtu si anëtar i Bordit të Postës së Kosovës. Më 26 janar, mandati i të gjithë anëtarëve të Bordit të Postës ka përfunduar, duke përfshirë Gëzim Pacin si kryetar dhe anëtaret Sebahate Krasniqi, Safije Beseni dhe Hyrmete Mydyti.
Qeveria e Albin Kurtit kishte shpallur një konkurs për plotësimin e vendeve të lira në Bordin e Postës, por procesi ende nuk është finalizuar. Në fund të dhjetorit 2024, Zyra e Kryeministrit publikoi një listë të ngushtë me 9 kandidatë, përshirë Gëzim Pacin si kryetar të Bordit, si dhe Safije Besenin dhe Visar Nurën si anëtarë.
Sipas burimeve brenda Postës së Kosovës, pavarësisht përfundimit të mandatit, anëtarët e Bordit janë rikthyer në detyrë për një periudhë të pacaktuar. Punonjësit e Postës nuk janë informuar zyrtarisht për vazhdimin e mandatit të tyre.
“Anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës e kanë përfunduar mandatin dhe në ditën e fundit të tij kanë shijuar një darkë lamtumirëse me menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje publike. Megjithatë, ata janë rikthyer në detyrë me vendim të Qeverisë, pa u informuar punëtorët e Postës”, ka thënë një sinjalizues brenda Postës së Kosovës për Demokracia.com.
Më 11 shkurt, Demokracia.com ka parashtruar pyetje pranë Zyrës së Informimit të Postës për të sqaruar statusin e Bordit pas skadimit të mandatit dhe nëse janë marrë vendime gjatë periudhës së paqartë zyrtare. Deri më tani, nuk ka pasur përgjigje.
Pasi “gëlltitën” darkën lamtumirëse, Bordi i Postës së Kosovës kthehet edhe pak në punë
Konflikt i mundshëm interesi
Pozita e anëtarit të Bordit në një ndërmarrje publike dhe pozita e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe Thesarit në KEK mund të krijojnë konflikt interesi.
Bazuar në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, i publikuar në faqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), mbajtja e dy pozitave nga Gëzim Paci – si anëtar i Bordit në Postën e Kosovës dhe si ZKFTH në KEK – mund të ndikojë në paanshmërinë dhe objektivitetin e tij në kryerjen e detyrave publike.
Sipas ligjit:
- Konflikti i interesit ndodh nëse një zyrtar publik është anëtar i më shumë se një organi drejtues të një ndërmarrjeje publike.
- Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka të drejtë të monitorojë dhe hetojë raste të tilla.
- Nëse konstatohet konflikt interesi, Agjencia mund të kërkojë largimin nga njëra prej pozitave ose të propozojë masa ligjore.
Bazuar në këto kritere, Paci mund të ketë qenë për vite në konflikt interesi, pasi para marrjes së detyrës si ZKFTH ka mbajtur pozitën e Menaxherit të Pasurisë në KEK. Këtë e ka konfirmuar vetë KEK-u në një deklaratë për mediat javën e kaluar.
Bekir Gërguri, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), është shkarkuar nga kjo pozitë.
Përvec Gërgurit, nga puna u shkarkua edhe zëvendës Kryeshefii Ekzekutiv, Ramadan Budakovën, që të dy ishin ushtrues të detyrës tash e një vit.
Vendimi u bë i ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut.
Sipas njoftimit, Bordi i Drejtorëve po ashtu ka marrë vendim për shpalljen e konkursit publik për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut, konkurs ky që do të shpallet të hënën. /Demokracia.com/