Kryetari i Bordit të BQK-së shkel ligjin, përfshihet në fushatën e VV-së në Pejë: Promovon gruan dhe kandidatin e VV-së për kryetar

Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurboja, nuk i intereson shumë për Ligjin e BQK-së. Në kundërshtim të hapur me ligjin e këtij institucioni të pavarur, ai është bërë pjesë e fushatës së VV-së për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Duke e “harruar” se posti i lartë publik që mban ia ndalon përfshirjen në aktivitete politike, ai ka promovuar publikisht bashkëshorten e tij që është kandidate e VV-së për asamble komunale në Pejë, Mimoza Nurboja, dhe kandidatin e VV-së për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi.

Në këtë mënyrë, ai ka shkelur hapur Ligjin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Normat e këtij ligji ia ndalojnë guvernatorit dhe anëtarëve të bordit të KQK-së pjesëmarrjen në aktivitete politike.

Madje, në nenin 41 të këtij ligji thuhet se një anëtar i bordit mund të shkarkohet nga pozita, nëse ai ka marrë pjesë në ndonjë aktivitet politik.

2.3. ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore.”, thuhet në piken 2.3 te nenit 41.

Pavarësisht këtyre kufizimeve, Nurboja ka vazhduar me aktivitet e tij politike.

Pak ditë më parë, në rrjetet sociale, ai ka promovuar bashkëshorten, Mimoza Nurboja, që është kandidate e VV-së për asambleiste në Pejë!

Bashkë më gruan e tij, ai ka promovuar edhe kandidatët tjerë të VV-së që garojnë për asamble në Komunë të Pejës.

Paraprakisht, ai ka dalë hapur edhe në mbështetje të kandidatit të kësaj parti për kryetar të Komunës së Pejës, Taulant Kelmendi.

Më 31 gusht, në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Kelmendi është alternativa më e mirë për Pejën.

Taulant, urime nga zemra për kandidaturën tënde për Kryetar të Pejës! Të njoh si njeri me vizion, energji dhe dashuri për qytetin tonë. Jam i bindur se me përkushtimin tënd, Peja do të ketë një të ardhme më të mirë. Suksese në këtë rrugëtim, e di që do ta japësh gjithmonë më të mirën për qytetin dhe njerëzit e tij!”, ka shkruar Nurboja.

Kush është Bashkim Nurboja?

Në dekadën e fundit, Bashkim Nurboja, i ka shërbyer zellshëm VV-së.

Gjatë këtyre viteve, ai ka garuar nën logon e partisë së Albin Kurtit në zgjedhje lokale dhe në zgjedhje qendrore.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Nurboja kishte garuar si kandidat i VV-së për kryetar të Komunës së Pejës. Megjithatë, qytetarët e Pejës nuk ia kishin besuar mandatin.

Më pas, ai e kishte provuar fatin edhe për zgjedhje nacionale, duke kërkuar mandat për deputet.

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2019, ai kishte garuar për deputet në listën e VV-së. As kësaj radhe nuk ia kishte arritur qëllimit.

Pas gjithë këtyre dështimeve, VV-ja kishte vendosur të shpërblente me një post të lartë publik.

Në vitin 2021, me ardhjen e VV-së në pushtet, ai ishte zgjedhur anëtar i bordit të BQK-së.

Kurse, në shkurti të vitit 2023, Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës e kishte zgjedhur Bashkim Nurbojën kryetar të këtij institucion.

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimim si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv”, ishte thënë në njoftimin për media të BQK-së.