Kryesuesi i Bordit Drejtues të Trustit përfshihet në fushatë: Fton qytetarët të votojnë VV-në, e kritikon opozitën

Kryesuesi i Bordit Drejtues, Emanuel Bajra, duket se ka harruar që drejton një prej institucioneve të pavarur më të rëndësishme në Kosovë. Në kundërshtim me përgjegjësit që ka, ai është përfshirë në fushatën zgjedhore të partisë në pushtet.

Njeriu që menaxhon rreth 2.7 miliardë euro të kosovarëve, iu ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të dielën të votojnë VV-në, raporton Nacionale.

Në një status në profilin e tij në “Facebook”, Bajra ka përdorur gjuhen e kryeministri Albin Kurti për të kritikuar ashpër opozitën.

Sipas tij, VV-ja është për të zhvilluar shtetin, kurse opozita për diçka tjetër.

Të dielën, kur shkoni te kutia e votimit, amon mos e harroni këtë. Ta dini, që dikush është për ta zhvillu shtetin, vendin, disa tjerë janë për diçka tjetër!”, ka shkruar ai.

Ai e ka kritikuar opozitën për dërgimin e Ligjit për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

“Thanë, ‘ne jemi institucionalista, ne jemi shtetndërtuesit, ne jemi alfa dhe omega e Kosovës shtet…’ por, kur erdhi te momenti kur Kosovës i duhen disa miliona e miliarda qindarka për ta fillu me sadaka, zhvillimin e vet, kthjelljen e saj, ata u zhrapsen, ata u rrevanshuan, ata u hakmorrën, ata u gjindosën, ata xhelozuan, ata kundërshtuan me maje t’thonjëve, ata u frikësuan se Kosova po ecte shumë shpejtë drejt lirisë nga tytat e tyre të mendësisë së nënshtrimit e lajthitjeve, ata patën frikë se Kosova do ti hap sytë e koha e tyre në politikë do të merrte fund njëherë e përgjithmonë. Tash, i kemi hap sytë. I kemi hap sytë dhe po shohim qartë e mirë. Populli, më në fund ka pa!”, ka shkruar Bajra.

Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës përcakton se ky institucion është i pavarur dhe duhet të udhëhiqet nga njerëzit me integritet.

Afërsia e kryeministrit Albin Kurtit me Emanuel Bajrën është parë më 19 dhjetor të vitit 2023, kur kryeministri Kurti ishte bërë kryeministri i parë që kishte vizituar Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në këtë vizitë, Kurti ishte shoqëruar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ky nuk është rasti i parë që një drejtues i një institucioni të pavarur në Kosovë përfshihet në fushatën e partisë në pushtet.

Në kundërshtim me ligjet në fuqi, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, dhe Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, Emin Hoxhaj, janë parë në tubime elektorale të VV-së.

Ndonëse një gjë e tillë është e ndalur me ligjet që rregullojnë këto dy institucionet, zyrtarëve në fjalë nuk iu ka bërë përshtypje një gjë e tillë.

Në këtë mënyrë, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi, e ka shkelur ligjin mbi të cilin funksionon institucioni që e drejton.

Ajo ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të VV-së, ndonëse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Madje, ajo ka postuar edhe fotografi nga një tubim elektoral i VV-së.

Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës e ndalon rreptësishtë që anëtarët e këtij autoriteti të përfshihen në aktivitete politike.

Në nenin 23 të këtij ligji tregohet se çka nuk mund të bëjnë anëtarët e këtij institucioni të pavarur.

Në pikën tre të këtij nenin thuhet se gjatë ushtrimit të mandatit, anëtari i Komisionit nuk mund të përfshihen në aktivitete politike.

Kurse, drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, Emin Hoxhaj, është parë duke marr pjesë në tubimin elektoral të kryeministrit Albin Kurti, i cili është mbajtur në fshatin Cërmjan të Komunës së Gjakovës.

Gazeta Nacionale kishte publikuar fotografi të Hoxhajt, i cili shihej në tubimin e Kurtit.

Në profilin e tij në “Facebook”, kryeministri Albin Kurti kishte postuar disa fotografi në të cilat shihet Emin Hoxha, i cili është nga fshati Cërmjan.

Pjesëmarrja e Hoxhajt në këtë tubim ishte në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Neni 68 i këtij ligji e ndalon që zyrtarët e këtij institucioni të marrin pjesë në aktivitete politike.

Asnjërin prej këtyre veprimeve të kundërligjshme nuk është dënuar nga zyrtarët e lartë të VV-së.

Partia në pushtet, e cila vazhdimisht kishte akuzuar qeveritë e kaluara për politizim të administrues, po vepron krejt ndryshe tani.

Ministrat e Qeverisë Kurti dhe disa deputetë të VV-së kishin reaguar ashpër ndaj rastit të hetuesit policor Idriz Gashi.

Ndonëse nuk kishin asnjë provë, ata pretendoni se polici në fjalë kishte marrë pjesë në një tubim të PDK-së në fshatin e tij.

Ani pse një video e publikuar në disa media tregonte se hetuesi Gashi nuk ishte prezent në tubimin e PDK-së, disa ministrat kishte nxjerr në fotografi duke insistuar se ai ishte pjesë e tubimit.

Për shkak të reagime të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe disa deputetëve të VV-së, Inspektorati Policorë e kishte suspenduar nga puna hetuesin Idriz Gashi.